KulturëLajme

Atdheu i mban në gji dinjitarët stoik si ti!

Shuhet Orhan Kostreci, një nga simbolet më domethënëse e më stoike të rezistencës antikomuniste në vendin tonë, antikonformisti më i pashembullt i regjimit të diktaturës në Shqipëri dhe jo vetëm; por, edhe i regjimit të një sistemi të degraduar e korruptiv demokrature që e maskoi këtë periudhë 30 vjeçare në emër të Lirisë, me tisin dhe vellon e të ashtuquajturës: “DEMOKRACI”.

Njeri i mençur dhe i duruar deri në dhimbje proverbiale, Ai nuk bëri asnjëherë kompromis me të keqen, nuk pretendoi kurrë privilegje të pamerituara në emër të së shkuarës së tij tragjike si i përndjekur politik, ashtu siç bënë në mënyrë të papërmbajtur dhe deri në pangopësi shumë prej të ngjashmëve të tij dhe jo vetëm. Me indiferentizmin dhe shpërfilljen që e karakterizonte, e qësendiste demagogjinë dhe kurthet e ngritura skutave të errëta të politikës konfliktuale të ditës në emër të pushtetit dhe të abuzimit me pushtetin!

Një Ithtar i paepur i Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, i idealeve që Ai u kushtoi plot 23 vite privacioni në burgjet politike, Ai kishte një fuqi të pashterrshme shpirtërore, një vitalitet dhe forcë të madhe karakteriale që e mbante të fortë në këmbë dhe sfidonte çdo hipokrizi e fallsitet të atyre që me tam tamet e propagandës u binin çdo ditë borive të antikomunizmit edhe tani pas 3 dekadash, duke marrë peng Lirinë e shqiptarëve për të cilën Ai dhe shumë si Orhani luftuan me jetën që çdokush ta gëzonte atë i lirë.

Nga biseda të ndryshme me të, atje ku pinte kafe çdo ditë dhe shkruante publicistikën memuaristike të sagës së tij të vuajtjes dhe të mbijetesës, kuptova se tek ai Njeri ekzistonte një Shpirt i bukur por edhe i trazuar, kishte një zemër e madhe që nuk gjeje mes dialogjeve dhe rrëfimeve që bënte asnjë pjesëz të vogël mllefi dhe hakmarrje për ata që i shkaktuan tragjedinë më të madhe të dhimbjes në jetën e tij.

Ai, ishte një shkollë e madhe e institucionit të FALJES, ishte një monument i intelektualit DINJITAR që aspektet dhe sfidat e tij personale i relativizonte përballë aspiratave patriotike që kishte për ta parë Shqipërinë të lirë dhe të prosperuar….!  A nuk bën të njëjtën gjë të gjithë patriotët e mëdhenj dhe Rilindasit e Kombit tonë….!? U prehësh në Paqe i Princ o Dhimbjes Njerëzore! Atdheu i mban përjetë në gji Bijtë si Ti! Të qoftë dheu i lehtë! R.I.P

Related Articles

Back to top button
Close
Close