BotaLajme

Arrestimet e prodhuesve të dronëve në Rusi vënë në pah akuzat për korrupsion në kohë lufte

Dy raste të profilit të lartë kundër figurave udhëheqëse të industrisë së dronëve në Rusi kanë vënë në pah pretendimet e blogerëve pro luftës se korrupsioni po minon pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Moska.

Rasti më i fundit ishte arrestimi i dy drejtorëve të një kompanie të quajtur Drone Solutions më 8 gusht. Kjo gjë pasoi arrestimin në qershor të miliarderit Valery Kustov, një figurë e fuqishme në industrinë e dronëve.

Të dyja rastet lidhen me akuza për mashtrim dhe, në po të dyja rastet, dronët e zhvilluar nga kompanitë përkatëse ishin prezantuar më herët para presidentit rus, Vladimir Putin, si shembuj të novacionit vendas.

Drone Solutions ia prezantoi produktin e saj, të quajtur Aist (Lejleku), Putinit në prill. Kompania tha se fluturakja pa pilot ishte projektuar për transportimin e furnizimeve mjekësore dhe mallrave të tjera.

Tani, drejtorët e kompanisë, Irakli Khazalia dhe Vyacheslav Barbarov, mund të përballen me deri në 10 vjet burgim për akuzat për mashtrim. Detajet e çështjes janë të paqarta, por pas arrestimeve drejtuesi i një kompanie rivale të dronëve ngarendi të mburrej lidhur me këtë situatë.

“Industria e aviacionit pa pilot në vendin tonë është plot me njerëz që nuk kanë përvojë në aviacion”, shkroi Dmitry Tretyakov, kompania e të cilit pretendon se ka zhvilluar dronët e parë rusë që funksionojnë me inteligjencë artificiale.

“Problemi kryesor është mungesa totale e profesionalizmit, gënjeshtrat dhe shtirja e atyre që janë në krye të kësaj industrie”, shtoi ai.

Rasti tjetër lidhet me Kustovin, i njohur më së shumti për prodhimin e majonezës. Në vitin 2023, ai themeloi një kompani të re, Transport of the Future, në Toljati, një qendër e prodhimit të automjeteve që gjendet 800 kilometra në lindje të Moskës.

Në ueb-faqen e kompanisë ende ekziston një fotografi të Putinit kur ai vizitoi uzinën në janar të vitit 2025, duke e paraqitur këtë ngjarje si pjesë të një programi kombëtar që ai kishte nisur për inovacionin në fushën e dronëve.

“Deri në vitin 2030, Rusia duhet të bëhet një nga novatoret kryesore teknologjike në botë në fushën e sistemeve ajrore pa pilot”, u tha Putin drejtuesve të industrisë gjatë vizitës, sipas një transkripti të publikuar në ueb-faqen e Kremlinit.

Kompania e Kustovit supozohet se blinte dronë kinezë dhe i paraqiste si produkte të veta. Ai është akuzuar për përvetësim të fondeve qeveritare, të destinuara për kërkim dhe zhvillim. Edhe ndaj figurave të tjera të larta të kompanisë janë ngritur akuza. Prokurorët pretendojnë se dëmi ndaj buxhetit të shtetit arrin në 105 milionë dollarë.

Reagojnë blogerët pro luftës

Blogerët rusë pro luftës kanë pretenduar se ai fitonte 83 mijë dollarë për çdo dron që blinte në Kinë dhe më pas ia shiste Ministrisë së Mbrojtjes.

“Luftëtarët më të mëdhenj kundër korrupsionit në Rusi sot janë blogerët [pro luftës]. Ata besojnë se Rusia po e humb luftën për shkak të korrupsionit”, tha për Current Time, Ivan Filippov, gazetar rus në mërgim dhe kritik që analizon kanalet në Telegram që janë pro Kremlinit.

Ky qëndrim ndonjëherë ka mbartur një kosto, pasi të ashtuquajturit blogerë Z janë ndaluar pasi kanë raportuar për korrupsion brenda forcave të armatosura ose kanë kritikuar mënyrën se si po zhvillohet lufta.

“Sa herë që ka një histori për korrupsionin, veçanërisht në ushtri, veçmas kur bëhet fjalë për prokurimet shtetërore që lidhen me çështjet e mbrojtjes dhe armatimet, kjo i tërbon ata”, tha Filippov.

Teksa teknologjia e dronëve e transformoi luftën, Rusia fillimisht mbeti prapa Ukrainës sa i përket kapaciteteve të fluturakeve pa pilot. Si kundërpërgjigje, ajo bleu mijëra njësi dhe teknologji nga Irani dhe më pas zhvilloi prodhimin e saj vendas.

Dronët rusë tani sulmojnë rregullisht qytetet ukrainase, ndërsa njësiti rus Rubicon, që zhvillon dhe blen teknologji të reja, ka shkaktuar dëme të mëdha në forcat ukrainase. Por, Ukraina ende duket se ka një avantazh teknologjik, gjë që nuk ka kaluar pa u vënë re nga komentatorët pro luftës në Rusi.

Filippov përmendi Aleksei Chadayev, i cili iu referua kësaj çështjeje në kanalin e tij në Telegram, në lidhje me rastin e Kustovit.

Chadayev vuri në pah se kompania e Kustovit ishte përpjekur, por kishte dështuar, të zhvillonte një ekuivalent rus të dronëve ukrainas Vampire – të cilët ushtarët rusë i kanë quajtur Baba Yaga, emri i një shtrige mitike sllave.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, dronët Vampire mund të mbajnë një ngarkesë prej 15 kilogramësh në një distancë deri në 20 kilometra, me “rezistencë të lartë ndaj luftës elektronike” dhe “një kamerë për misione gjatë ditës dhe natës”.

“Nëse [droni] do të kishte fluturuar mirë, ushtria ruse do të kishte pasur Baba Yagan e saj, të prodhuar në masë”, shkroi Chadayev. “Por, ai nuk fluturoi”.

Ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov, ka pasur një vlerësim po kaq negativ për dronin, pasi i tha Putinit gjatë një takimi në qershor se ai ishte “një produkt me cilësi jo shumë të lartë”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close