LajmeOpinion

“Patriotizëm” për maqedonasit, “nacionalizëm” për shqiptarët

Një shtet nuk mund t’u kërkojë shqiptarëve ta konsiderojnë atë të tyrin, përderisa vazhdon t’u tregojë se vetëm identiteti maqesonas është identitet i shtetit

Nga Sefer SELIMI
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët e përzgjedhur nga Mickoski, me krenari flet për “vija të kuqe” kur bëhet fjalë për historinë, gjuhën dhe identitetin maqedonas. Madje, është e gatshme ta mbajë peng edhe të ardhmen tonë të përbashkët evropiane në emër të mbrojtjes së tyre dhe kjo nuk konsiderohet nacionalizëm. Paraqitet si patriotizëm, dinjitet dhe mbrojtje e interesit shtetëror.

Por kur shqiptarët kërkojnë mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit të tyre, e njëjta kërkesë etiketohet menjëherë si nacionalizëm, retorikë etnike apo kthim në të kaluarën.

Këtu qëndron problemi themelor.

Në këtë koncept të shtetit, identiteti maqedonas është shndërruar në identitet shtetëror. Prandaj, kur kontestohet identiteti maqedonas, konsiderohet se është kontestuar vetë shteti. Kur mbrohet gjuha maqedonase, thuhet se mbrohet shteti. Kur mbrohet historia maqedonase, thuhet se mbrohet interesi shtetëror.

Pra, vazhdon të mbijetojë logjika e vjetër: “Maqedonia e maqedonasve”. Por Maqedonia e Veriut nuk është e maqedonasve.

Nëse mbrojtja e gjuhës maqedonase është interes shtetëror, atëherë edhe mbrojtja e gjuhës shqipe duhet të jetë interes shtetëror.

Nëse cenimi i identitetit maqedonas është cenim i shtetit, atëherë edhe cenimi i identitetit shqiptar duhet të konsiderohet cenim i shtetit.

Nëse maqedonasit kanë të drejtë të vendosin “vija të kuqe” për identitetin e tyre, atëherë shqiptarët kanë po aq të drejtë të vendosin vijat e tyre të kuqe për gjuhën, kulturën, përfaqësimin dhe barazinë e tyre.

Përndryshe, mesazhi është shumë i qartë: identiteti maqedonas është shtetëror, ndërsa identiteti shqiptar është vetëm etnik; nacionalizmi maqedonas quhet patriotizëm, ndërsa kërkesa shqiptare për barazi quhet nacionalizëm.

Këtu fillon problemi me idenë e një shteti të përbashkët.

Një shtet nuk mund t’u kërkojë shqiptarëve ta konsiderojnë atë të tyrin, përderisa vazhdon t’u tregojë se vetëm identiteti maqesonas është identitet i shtetit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close