
Arbër Ademi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin u shfuqizua mekanizmi i balancuesit — instrumenti i vetëm që garantonte ndjekjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në institucionet publike të shtetit. Sipas Ademit, vendimi nuk ishte teknik, por thellësisht politik dhe antikushtetues, pasi “përgatiste fshirjen e deklarimit etnik dhe çmontimin e të drejtave kolektive të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit dhe të sanksionuara me amendamentin e gjashtë të Kushtetutës së vendit”. “Ky është një sulm institucional ndaj barazisë dhe një kthim i hapur para vitit 2001, në kohën kur shqiptarët përbënin më pak se 0.2% të administratës shtetërore,” – theksoi Ademi. Ai kujtoi se para heqjes së balancuesit, shqiptarët përfaqësoheshin me rreth 22% në administratën publike, një përqindje që po rritej gradualisht nga viti në vit. Pas shfuqizimit të këtij mekanizmi, sipas të dhënave publike, “në shumicën e institucioneve shtetërore, përqindja e shqiptarëve në punësimet e reja nuk kalon 5%”. Ademi paralajmëroi se ky zhvillim rrezikon të minojë themelet e barazisë ndëretnike dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, duke kërkuar reagim urgjent institucional dhe politik për ta ndalur këtë prirje.Shkruan Top24



