LajmeMaqedoniTopLajm

Aplikimi në fondet për mjedisin, ndër temat që u diskuta gjatë vizitës së amabasadorit Rokas në Gostovar

Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, zhvilloi takime pune me udhëheqjen e komunës së Gostivarit. Nikoqir të tij ishin kryesuesi i Këshillit të komunës, Valon Xhaferi, anëtarë të Këshillit të komunës dhe kryetari i komunës, Valbon Limani. Në takime u diskutua për mundësitë e shfrytëzimit të fondeve evropiane, sfidat aktuale me të cilat përballet komuna, si dhe për rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Kryetari i komunës Limani shprehu kënaqësi për vizitën dhe theksoi se Gostivari është i gatshëm të aplikojë për projekte të reja, me theks të veçantë në programin evropian LIFE, i cili është i dedikuar për mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike.

“Gjithçka fillon në nivel lokal dhe shpresoj që pikërisht nga komunat të nisim në atë drejtim, që një ditë Maqedonia të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian”, deklaroi Limani.

Kryesuesi i Këshillit, Valon Xhaferi, e vlerësoi debatin si jashtëzakonisht frytdhënës dhe konstruktiv, duke theksuar se këshilltarët morën përgjigje të detajuara që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e komunës dhe në zgjidhjen e problemeve të përditshme të qytetarëve.

Euroambasadori Rokas, falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe theksoi se Gostivari është një shembull i ndritshëm i një komune multietnike, multikulturore dhe multifetare, e cila jep maksimumin për t’iu përgjigjur nevojave të banorëve të saj. Ai shprehu kënaqësi të veçantë që në qytet funksionon edhe një qendër speciale për fëmijët me autizëm.

Në pyetjen e gazetarëve lidhur me problemin me të cilin përballet rajoni dhe protestën e fundit për qasjen në ujë të pijshëm dhe menaxhimin e ujërave të zeza, Rokas theksoi se BE-ja tashmë po ndërmerr hapa konkretë.

“Qasja në ujë të pijshëm është një çështje shumë serioze. Ekipi im tashmë ishte në Bogovinë, ndërsa do të vijë edhe këtu në Gostivar dhe Tetovë për të parë gjendjen në terren. Edhe pse cikli aktual buxhetor shtatëvjeçar i BE-së përfundon vitin e ardhshëm, një nga opsionet serioze për financimin e këtyre projekteve kapitale janë mjetet nga Agjenda e Reformave të Qeverisë”, tha në përgjigjen e tij euroambasadori Rokas, duke paralajmëruar koordinime të mëtejshme me autoritetet lokale dhe qendrore.

Vizita e Delegacionit të BE-së në Gostivar vazhdoi me takime me sektorin e shoqërisë civile dhe biseda të drejtpërdrejta me qytetarët.

Siç njoftuan nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Rokas mori pjesë edhe në ngjarjen Ditë informuese kushtuar programit LIFE – instrumenti kryesor financiar i Bashkimit Evropian për mbështetjen e projekteve në fushën e mjedisit, ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe energjisë së pastër, i organizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në vend dhe Komunën e Gostivarit.

“Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, në fjalimin e tij theksoi se vendi ynë është i pari në rajon që ka nënshkruar Marrëveshjen për pjesëmarrje në programin LIFE, me ç’rast janë hapur mundësi të reja për mbështetje financiare dhe teknike të projekteve në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Në Info-ditën e LIFE u prezantuan thirrjet aktuale dhe mundësitë për aplikim në kuadër të programit LIFE”, thuhet në njftimin e MMJPH-së.

Related Articles

Back to top button
Close
Close