OpinionTopLajm

Anton Pançev: Maqedonia e Veriut nuk mund të hyjë në BE me këtë ideologji absurde

Prof. Anton Pançevi është ndër intelektualët më të njohur bullgar që merret me studimin e relacioneve ndërballkanike, veçmas të marrëdhënieve bullgaro-shqiptare. Duke u gjendur në ditët kur Bullgaria e bllokoi fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në në procesin euro-integrues, përfituam nga rasti që të bisedojmë me të pa doreza për këtë temë, për atë se sa është e drejtë dhe e dëmshme kjo bllokadë për marrëdhëniet ndërfqinjësore, për zhvillimet rajonale e gjeopolitike, duke u ndalur veçmas në relacionet bullgaro-shqiptare. Ai, përveç që nuk hezitoi t’i përgjigjet secilës pyetje në mënyrë dinjitoze, duke shpjegime shkencore dhe politike, në asnjë moment nuk e fshehu as simpatinë që ka për shqiptarët dhe kauzën shqiptare në Ballkan.

SHENJA: Profesor, Këshilli i Ministrave të Bashkimin Europian as në takimin e fundit nuk dha vizë që Maqedonia e Veriut të fillojë negociata për anëtarësim në BE. A mendoni se është korrekt – në kuptimin politik – qëndrimi i Bullgarisë për bllokimin e rrugës euro-integruese të Maqedonisë së Veriut?

Pançev: Bullgaria e ka të drejtën që t’i përdorë të gjitha instrumentet legjitime, të bazuara mbi të drejtën e BE-së, që të mbrojë interesat e veta. Parime themelore në BE janë fqinjësia e mirë, lufta me dezinformatat dhe dënimi i komunizmit. Realizimi i përpiktë i traktateve është parim kryesor në të drejtën ndërkombëtare. Këto parime janë vendosur me disa rezoluta dhe dokumente të tjera, derisa kërkesat kryesore bullgare janë në Traktatin për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet shtetet tona. Maqedonia e Veriut i shkel në mënyrë sistematike ato dhe nuk mund të hyjë në BE me këtë ideologji absurde, që ka për themel urrejtjen dhe vjedhjen e historisë. Edhe më e rëndësishmja në këtë aspekt – Republika e Maqedonisë së Veriut është shteti i fundit në Evropë me ideologji dhe me propagandë raciste! Për fat të keq, kjo është politika zyrtare e këtij shteti. Ideologjia e maqedonizmë është ngritur mbi stereotipa dhe urrejtje racore kundër etnisë bullgare. Kjo shihet shumë qartë nga librat mësimorë dhe nga deklarimet sistematike të disa politikanëve, gazetarëve dhe akademikëve nga Maqedonia e Veriut. Bëhet përpjekje direkte për “diferencimin” e bullgarëve dhe “maqedonëve” mbi bazën e dallimeve racore! Të ngrihet një ideologji mbi “shenjat e racës”, kjo është në kundërshtim të plotë me parimet shkencore dhe me vlerat evropiane. Edhe më shumë – insistohet se “tataro-mongolët” qenkëshin në një nivel më të ulët kulturor dhe racor se “raca e bardhë”!? Ndërkaq për nivelin e urrejtjes etnike në Maqedoninë e Veriut pikërisht shqiptarëve nuk ka nevojë që t’u japin shembuj. Po të hynte Maqedonia Veriut në BE me ideologjinë aktuale, ajo do ta vazhdonte fushatën e saj agresive kundër Bullgarisë, sepse kjo ideologji është krijuar në thelbin e saj si antibullgare. E, nuk do të hyjë me këto barra të rënda nga e kaluara titiste. Duhet ndryshim thelbësor dhe zhbërje e ideologjive dhe e çerdheve të urrejtjes raciste, shpesh të kamufluara si institucione arsimore dhe shkencore.

Është manipulim i rëndë se asnjë shtet tjetër nuk e paska përkrahur qëndrimin bullgar dhe Sofja paska qenë në izolim. Secili vend në BE i ka problemet dhe qëndrimet e veta dhe i mbron ato. Nuk ka nevojë të kërkohet ndonjë koalicion ose mbështetje brenda BE-së në lidhje me këtë çështje, meqenëse pozicioni bullgar është plotësisht i mjaftueshëm. Brenda BE-së koalicione bëhen kur është e nevojshme ndonjë sasi votash për pranimin ose për bllokimin e ndonjë vendimi. Asnjë vend nga BE-ja p.sh. nuk e mbështeste politikën e Greqisë ndaj Maqedonisë së Veriut në gati tri dekada. Duhet të kuptohet se BE-ja punon si klub i interesave. Çdo ditë ka shembuj kur shtetet anëtare i mbrojnë interesat e tyre me shumë përkushtim dhe përdorin çdo mundësi që ta përmirësojnë pozitën e tyre ose të përfitojnë diçka. Gazetarët dhe ekspertët në Maqedoninë e Veriut, të cilët merren me hulumtimin e politikës së BE-së dhe me euro-integrimet, duhet t’i studiojnë dhe t’i analizojnë këto parime dhe proceset reale në këtë organizatë dhe jo të bazohen mbi mendësi të vjetra për gjoja “vëllazërim-bashkimin” e detyrueshëm mbi të cilin qenka themeluar Bashkimi Evropian!

SHENJA: A mund të na shpjegoni se cilat janë arsyet themelore që Bullgaria mban qëndrim bllokues ndaj Maqedonisë së Veriut?

Pançev: Do të doja ta filloj përgjigjen time me përgënjeshtrimin e propagandës brutale të qarqeve të Shkupit. As Republika e Bullgarisë, as shkencëtarët bullgarë nuk e mohojnë shfaqjen, në dekadat e fundit, të identitetit maqedon, i cili, në të gjitha rastet, nuk është strukturuar në mënyrë të qartë dhe pa dyshim përmban shumë nuanca që janë në kundërshtim njëra me tjetrën. Ne, faktikisht, nuk e dimë çfarë saktë do të thotë një identitet i tillë, derisa edha ata vetë nuk e dinë. Në këtë “identitet” ka një element të përhershëm dhe të pandryshuar – antibullgarizmi dhe antishqiptarizmi. Gjithsesi, nuk mund t’i pranojmë format e tij ekstreme antibullgare. Fare! Këta njerëz mund të kenë komb, kishë, kulturë, identitet (edhe gjuhë maqedone pas mbulimit të kritereve të mirëfillta shkencore), mund të kenë çfarë dëshirojnë dhe e kanë këtë të drejtë pavarësisht mënyrës tragjike të formimit të maqedonëve. Pra, secili njeri dhe secili komb e ka të drejtën e vet për identitet. Këtë të drejtë e kanë si të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, kështu edhe të gjithë qytetarët e Bullgarisë. Por, nuk mund ta injorojmë faktin se ka edhe shumë njerëz në Republikën e Maqedonisë së Veriut që nuk pajtohen me një identitet të tillë. I kemi parasysh bullgarët e Maqedonisë së Veriut. Gjatë 20 viteve të fundit diku 90.000 njerëz nga Maqedonia e Veriut kanë marrë edhe nënshtetësi bullgare mbi bazën e vetëdeklarimeve se kanë origjinë etnike bullgare. Shpjegimet e disa politikanëve nga Maqedonia e Veriut se në të gjitha rastet paska ndikuar perspektiva ekonomike për një jetë më të lehtë janë fyese për vetë identitetin maqedon, i cili duket se mund të shitet pa shumë hezitime. Në kontestin me Maqedoninë e Veriut Bullgaria e mbron identitetin kombëtar bullgar, gjuhën bullgare, kulturën bullgare dhe kujtesën për të gjithë bullgarët nga krahina historike e Maqedonisë, që janë luftuar dhe kanë vdekur për ta mbrojtur vetëdijen e tyre bullgare. Bullgaria nuk do të lejojë që historia e saj, kultura e saj dhe personalitetet e saj historike të përvetësohen dhe kujtesa për ta të përdhoset. Do ta mbrojmë identitetin tonë që nga Shën Kliment Ohridski, Mbretëria e Samuilit, Peshkopata e Ohrit, Ekzarhia, rilindësit, VMORO-ja e kështu me radhë deri në bullgarin e fundit nga dhe në këto troje. Qëndrimet bullgare janë mbështetur nga mijëra dhe mijëra prova autentike. Çdo njeri dhe çdo komb meriton respekt për identitetin dhe për gjuhën e tij. Respekti duhet të jetë i ndërsjellë. Në qoftë se maqedonët dëshirojnë të respektohen nga bullgarët, edhe ata duhet të tregojnë respekt ndaj identitetit të gjithë bullgarëve të kësaj krahine të Ballkanit, pavarësisht të gjallë a të vdekur. Zyrtarët dhe shkencëtarët bullgarë gjithsesi nuk dëshirojnë që t’ua imponojnë me forcë qëndrimet e tyre përfaqësuesve maqedonas në lidhje me çështjet e lartpërmendura, si edhe në lidhje me çështje të tjera. Ata kërkojnë debate të ndershme, por edhe rezultate reale në afate të shkurtra. Debatet, vlerësimet dhe rezultatet prej tyre duhet të bazohen mbi realitetin objektiv etnik, kulturor, gjuhësor, fetar në këto troje nga epoka e Mesjetës së Hershme deri fundin e shek. XX. Ky realitet mund të ketë trajtime të ndryshme në disa aspekte, sidomos në shek. XX, dhe historiografia bullgare nuk është “perfekte” (asnjë historiografi në botë nuk mund të ketë pretendime në ndriçimin “perfekt” të së kaluarës), por trajtimi dhe përfundimet gjithmonë duhet të mbështeten mbi fakte, argumente dhe burime të kohës të shqyrtuara në mënyrë krahasimtare. Nëse ka mosmarrëveshje për periudha, ngjarje ose figura historike, ato duhet të zgjidhen mbi bazën e “burimeve historike, të bazuara mbi prova autentike për trajtimin shkencor të ngjarjeve historike”, siç thuhet në nenin 8, p. 2 të Traktatit për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

SHENJA: Dhe, a ju duket juve e drejtë që interpretimi i historisë dhe identitetit të jenë arsye e mjaftueshme e bllokimit të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Europian?

Pançev: Arsye më e mjaftueshme nuk mund të ekzistonte! Në Evropë, në SHBA dhe në shumë vende të zhvilluara ka beteja tepër të ashpra ideologjike dhe kulturore që në thelb i kanë çështjet e identitetit në dimensione të ndryshme. Por, paralele e drejtpërdrejtë këtu nuk mund të bëhet, sepse Bullgaria i përmbahet të vërtetës historike në vlerësimin e fakteve dhe nuk rrëshqitet drejt teorive ekzotike për identitetin. Bullgaria ka një vend primar në Evropë jo për shkak të potencialit të saj ekonomik, ushtarak, demografik ose gjeopolitik, por për shkak të kulturës dhe qytetërimit të saj. Bullgaria e ka vendin e saj të rezervuar në hartën dhe në historinë e qytetërimit evropian pikërisht për shkak të proceseve kulturore të zhvilluara në kohën e Mesjetës. Prandaj, ne nuk mund të lejojmë asnjë cenim të kulturës dhe të historisë sonë.

Pretendimet e Shkupit prekin në thelb sigurinë kombëtare bullgare, sepse marrëdhëniet e Bullgarisë me një shtet tepër të rëndësishëm për sigurinë tonë, por edhe për sigurinë e përgjithshme në Evropë dhe në botë, siç është Rusia, janë ndërtuar mbi arritjet e qytetërimit bullgar dhe mbi ndikimet kulturore bullgare gjatë periudhave të ndryshme të Mesjetës. Kjo vlen edhe për marrëdhëniet e Bullgarisë me shtete dhe me kultura të tjera si Serbia, Ukraina etj. Përveç kësaj, politika e Bullgarisë, së paku gjatë gjysmës së parë të shek. XX, që kishte për qëllim çlirimin e bullgarëve nën pushtet të huaj, në një rast të tillë do të ishte plotësisht e gabueshme dhe agresive. Bullgaria do të ishte pranë shteteve si Serbia, Greqia dhe Rumania, që kanë pushtuar territore me popullsi të huaja, që i kanë asimiluar, i kanë shpërngulur dhe i kanë asgjësuar.

Pranimi e tezave absurde të propagandistëve prej Shkupit do të thoshte të rishikohen marrëdhëniet historike dhe gjeopolitike ndërmjet Bullgarisë, botës sllave dhe asaj evropiane në dëm të plotë të interesave bullgare. Do të thoshte se arritjet dhe vendi i qytetërimit bullgar gjatë historisë së saj mijëvjeçare t’i nënshtrohen rivlerësimit të plotë dhe kultura bullgare të përulet në përmasat e kulturës evropiane dhe botërore. Po të ishte ky kontest thjesht një mosmarrëveshje rreth fakteve, do të zgjidhej shumë shpejt përmes shkencës. Por, edhe bllokimi i punës së Komisionit të përbashkët për çështjet historike nga ana e përfaqësuesve të Maqedonisë së Veriut tregon qartë se për Shkupin ky është kontest plotësisht politik, pra duhet të zgjidhet përmes veglave politike. Kauza e mbrojtjes së qytetërimit bullgar i bashkon të gjithë bullgarët, pavarësisht dallimeve të tjera me karakter të ndryshëm. Vlen të theksohet se bullgarët për herë të parë janë kaq të bashkuar në historinë e tyre më të re. Vetëm disa propagandistë, të motivuar nga qarqe neoliberale, serbe ose ruse, bëjnë përpjekje të kota ta degradojnë qëndrimin bullgar, por ndikimi i tyre në Bullgari është tamam “zero” dhe “përfitojnë” vetëm përqeshjen e bullgarëve.

SHENJA: A nuk mendoni se ky kontest mund të shtyhet për më vonë, ndërkohë që bisedimet mund të vazhdojnë?

Pançev: Bullgaria gati 30 vite e ka mbështetur pa kushte Maqedoninë e Veriut – ishte shteti i parë që e njohu pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin më 15 janar 1992, por edhe më vonë e ka dhënë ndihmën e saj të pakursyer. Koha kalonte pa asnjë zhvillim pozitiv në Maqedoninë e Veriut ndaj Bullgarisë. Përkundrazi, gjuha e urrejtjes, falsifikimet, sulmet ndaj identitetit bullgar janë duke shtuar vazhdimisht. Pikërisht fillimi i negociatave me BE-në është ora e fundit për paraqitjen në mënyrë të prerë të kërkesave bullgare.

SHENJA: Si e vlerësoni Marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë se Veriut dhe Bullgarisë dhe pse ajo marrëveshje nuk ishte e mjaftueshme që të parandalojë VETO-n bullgare për hapjen e negociatave me Bullgarinë.

Pançev: Kur kjo Marrëveshje u nënshkrua në vitin 2017, kishte shumë pritje pozitive në Bullgari për zhvillime të shpejta. Por, ky gëzim doli tepër naiv. Zyrtarët bullgarë i kishin besuar palës maqedonase se është e çiltër dhe dëshiron zgjidhjen e shpejtë të mosmarrëveshjeve. Mirëpo, në këtë marrëveshje nuk janë përfshirë mekanizma të mjaftueshme për sigurimin e rezultateve të nevojshme. Ka konsensus të plotë në Bullgari që kjo marrëveshje duhet të rishqyrtohet, të bëhen anekse ose të nënshkruhet ndonjë marrëveshje tjetër me hapa, rezultate dhe afate të përcaktuara në mënyrë të përpiktë.

SHENJA: A është Bullgaria e ndërgjegjshme se me këtë bllokadë e shtyn Maqedoninë e Veriut drejt Serbisë dhe kjo shkon në favor të interesave ruse në rajon për mbajtjen e Ballkanit jashtë BE-së?

Pançev: Në parim, Bullgaria i mbron interesat e veta dhe nuk na intereson fare nëse ndonjë veprim i Sofjes mund t’i përshtatet këtij ose atij shteti në një ose në ndonjë moment tjetër. Por, Bullgaria është e ndërgjegjshme edhe ndaj partnerëve euroatlantikë. Kështu, Bullgaria e lejoi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO pa asnjë kusht. Në këtë mënyrë i dha fund ndikimit serb dhe rus. Nuk mendoj se Rusia dhe, sidomos, Serbia mund t’i propozojnë Maqedonisë së Veriut mjaft përfitime ekonomike dhe gjeopolitike që shumica e popullsisë së këtij vendi ta preferojë orientimin kah këto shtete. Sidoqoftë, kjo është punë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Pikërisht në interes të Rusisë është që Republika e Maqedonisë së Veriut të hyjë sa më shpejti në BE me ideologjinë e saj nacionaliste dhe raciste. Në një rast të tillë brenda BE-së do të shfaqte edhe një problem për stabilitetin e Bashkimit dhe parimet themelore të BE-së, që i përmenda më lart, do të vihen në sprovë serioze.

SHENJA: Kjo, veç tjerash, shkon edhe në favor të korridorit 10 dhe në disfavor të korridorit 8. Kush do të jetë përgjegjës për këtë?

Pançev: 30 vite flitet dhe përflitet për Korridorin 8, por përparim të rëndësishëm ende nuk ka dhe fajtorë janë të gjithë aktorët që janë përfshirë në këtë proces. Aktivizimi i punimeve në Maqedoninë e Veriut për ndërtimin e këtij Korridori është përfshirë në kërkesat bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Nëse si “hakmarrje” autoritetet në Maqedoninë e Veriut e ngadalësojnë ose e ndërpresin këtë projekt, kjo do ta tregonte papjekurinë e qarqeve qeveritare në Shkup.

SHENJA: Si mendoni se mund të jetë epilogu i bisedimeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe a do të thotë kjo se Maqedonia e Veriut edhe nja 30 vjet duhet të qëndrojë jashtë BE-së derisa të merret vesh me Bullgarinë?

Pançev: Ky kontest mund të zgjidhet edhe nesër. Mjafton ose historianët nga Maqedonia e Veriut të tregojnë dokumente dhe prova autentike për tezat antibullgare, që janë paraqitur në librat mësimorë në këtë vend dhe i mbrojnë publikisht, ose politikanët dhe historianët në këtë shtet të tregojnë guxim dhe të pranojnë tezat bullgare për trajtimin e historisë së përbashkët. Ndryshe, Bullgaria ka një program të qartë se si do të veprojë gjatë rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së dhe si do të mbrohet interesi bullgar. Më 9 tetor 2019 Qeveria e Bullgarisë pranoi “Projekt-qëndrimi në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe Procesi i stabilizimit dhe asociimit: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria” dhe një ditë më vonë Kuvendi Bullgar e votoi unanimisht një deklaratë në mbështetje të qëndrimit bullgar. Pastaj kërkesat bullgare janë paraqitur dhe janë përfshirë në dokumentet relevante të BE-së, që e trajtojnë procesin e euro-integrimeve. Derisa Shqipëria i gëzohet mbështetjes së plotë bullgare, ndaj Maqedonisë së Veriut ka shumë kushte së bashku me etapat e plotësimit të tyre. Në këtë dokument janë treguar qartazi hapat dhe arritjet e nevojshme të Maqedonisë së Veriut, që duhet të realizohen në afate të caktuara. Politikanët e Maqedonisë së Veriut, që merren me euro-integrimin e shtetit të tyre, gjatë muajve të mëparshëm kanë qenë të mbushur me një optimizëm të rremë se gjoja Bullgaria “nuk do të na bllokojë”. Kjo sjellje flet ose për mosnjohje të qëndrimit bullgar, që është më shumë se publik, ose kanë menduar se Sofja zyrtare do të përulej nën ndonjë presion nga faktori ndërkombëtar. Ose, kanë shfaqur papërgjegjësi në punën e tyre, të stimuluar edhe nga frika për përballje eventual me nacionalizmin maqedon. Në ndonjë moment, ndoshta në mars 2021, Bullgaria do të lejojë fillimin e negociatave (nëse qeveritarët në Shkup do të tregojnë veprime aktive për plotësimin e kërkesave përkatëse bullgare) dhe atëherë politikanët në Shkup mund të bëjnë sërish një gabim të rëndë, duke menduar se Bullgaria paska lëshuar pe. Jo! Bullgaria ka program të qartë me hapa të qartë dhe ne e dimë se ndoshta do të na duhen shumë vite që t’i realizojmë kërkesat dhe strategjitë tona. Ne e kuptojmë se në Maqedoninë e Veriut duhet të ndryshojë klima e përgjithshme qytetare, që të ketë përparim. Sa kohë do të vazhdojnë këto procese në vendin fqinj, unë nuk e di. E dimë se ne, bullgarët, e kemi edhe të vërtetën historike, edhe kohën e nevojshme në anën tonë. Sa janë gati të presin qytetarët e Maqedonisë së Veriut, kjo është punë e tyre.

SHENJA: Qëndrimi i Maqedonisë së Veriut jashtë BE-së u jep krahë qarqeve antiperëndimore këtu dhe kjo shkakton ndarje serioze mes shqiptarëve dhe maqedonasve. A mendoni se në këtë mënyrë, duke e ndalë prirjen euro-integruese të shqiptarëve, të rrezikoni edhe armiqësinë e shqiptarëve me Bullgarinë?

Pançev: Analiza tregon se shqiptarët, në përgjithësi, dhe sidomos shqiptarët e Maqedonisë së Veriut mund të përfitojnë disa gjëra shumë të rëndësishme për interesat e tyre në lidhje me mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve Shkup- Sofje.

Së pari, parimet e mirëfillta shkencore duhet të zbatohen në hulumtimin dhe në zgjidhjen e të gjitha kontesteve me prapavija historike në Ballkan. Shqipëria ka probleme të shumta me Greqinë dhe ndërmjet përfaqësuesve të këtyre dy shteteve duhet të ketë debate edhe për tema historike. Nuk mund të bëhet paralel midis kontestit Bullgari – Maqedoni e Veriut dhe kontestit Greqi- Shqipëri, sepse Sofja zyrtare kërkon nga Shkupi që ta pranojë të vërtetën historike, derisa Athina insiston që Tirana të pranojë disa të pavërteta. Kështu është edhe në mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi, ngaqë në thelbin e tyre qëndrojnë pretendimet serbe për Kosovën si “djepi i Serbisë”. Debatet dhe mosmarrëveshjet në lidhje me këto ngjarje dhe procese historike duhet të zgjidhen mbi parime të qarta shkencore, pra duke u bazuar mbi dokumente mbi interpretimin shkencor të ngjarjeve historike, duke u mbështetur mbi burimet autentike dhe mbi provat objektive.

Së dyti, ridefinimi i identitetit të falsifikuar të maqedonëve të tanishëm duhet të sjellë dobi edhe për shqiptarët në këtë shtet. Në librat mësimorë në Maqedoninë e Veriut ka jo pak tekste që janë fyese për kombin shqiptar. Jam i mendimit se në këtë shtet duhet të ndryshojë mënyra e shkrimit dhe e mësimit në përgjithësi. Nuk mund të ketë gënjeshtra për bullgarët dhe të mos ketë edhe për shqiptarët, sepse me rëndësi është fryma që mbretëron në një shoqëri. Kur dominon urrejtja, aq më keq kur ajo bazohet mbi falsifikime të turpshme, është “normale” kjo urrejtje të prekë segmente dhe komunitete të tjera në këtë vend.

Së treti, gjeopolitika dhe interesat e shqiptarëve kërkojnë nga ata ta ndjekin me vëmendje zhvillimin e kontestit Shkup-Sofje. Pa dyshim se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë dëshirë që shteti, në të cilin jetojnë, të integrohet sa më shpejt që është e mundur në BE. Pra, në shikim të parë, duket sikur vetoja bullgare u bën kërdi edhe shqiptarëve në këtë drejtim. Mirëpo, duke e analizuar pasqyrën e plotë, ndoshta në mënyrë paradoksale mund të arrihet në përfundimin se bllokimi bullgar, tani ose në të ardhmen, është në përputhje me interesat strategjike shqiptare. Pse? Republika e Maqedonisë së Veriut shkon drejt BE-së së bashku me Republikën e Shqipërisë. Është në interesin shqiptar që këto dy shtete të mos ndahen në këtë proces. Kur e dimë se Shqipëria në një ose në disa momente do të ballafaqohet me ndonjë veto greke, bllokimi i Maqedonisë së Veriut nga Sofja do ta ndihmonte në mënyrë të tërthortë edhe Shqipërinë, sepse pranimi eventual i Maqedonisë së Veriut në BE para Shqipërisë do të sillte pasoja katastrofale gjeopolitike edhe për shqiptarët, edhe për Bullgarinë, kjo për shkak të aleancës së hapur ndërmjet Serbisë, Greqisë dhe klasës politike në Shkup. Po të realizohej një skenar i tillë, Bullgaria do ta zinte shumë ngushtë BE-në nën presionin e koordinuar të këtyre tri vendeve, derisa shqiptarët do të bllokoheshin plotësisht. Interesi bullgar dhe ai shqiptar është i njëjtë: së pari, Shqipëria të hyjë në BE së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe nëse është e mundur, edhe me Serbinë dhe, së dyti, në Shkup të jetë në pushtet një klasë politike e orientuar ndaj Tiranës dhe Sofjes. Gjithashtu, duhet të kihet parasysh se shtetet që bëhen anëtare të BE-së e bëjnë këtë me institucione të stabilizuara dhe me një rend kushtetues që garanton mungesën e mosmarrëveshjeve esenciale për rolin dhe vendin e komuniteteve të ndryshme në shtetin përkatës. Për këtë arsye, pas hyrjes në BE, do të jetë më e vështirë të ndryshohet sistemi juridik në këtë drejtim, sepse çdo tension me nuanca etnike do të perceptohet si destabilizim të tërë Bashkimit Evropian.

SHENJA: Na thoni cilat janë marrëdhëniet shqiptaro-bullgare gjatë historisë dhe si i vlerësoni ato sot?

Pançev: Dihet mirë se ndërmjet popullit bullgar dhe popullit shqiptar ka pasur marrëdhënie të mira dhe miqësore. Mund të flitet shumë edhe për marrëdhëniet miqësore midis Shqipërisë dhe Bullgarisë që nga themelimi i shtetit shqiptar. Arkivat e Bullgarisë kanë shumë dokumente që e mbështesin pozitën historike të Shqipërisë në rajon. Është folur shumë dhe duhet të flitet edhe më shumë për diasporën shqiptare në Bullgari gjatë kohës së Perandorisë Osmane, për katundin e Mandricës, për koloninë shqiptare në Sofjes dhe në qytete të tjera, që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimet e proceseve të ndryshme në epokën e Rilindjes Shqiptare. Në vitet e fundit unë personalisht merrem me hulumtime për ndikimin e shqipes mbi disa dukuri gjuhësore në të folmet dhe në dialektet bullgare. Dalin fakte tepër interesante që tregojnë se konvergjenca ndërmjet bullgarishtes dhe shqipes ka qenë edhe më e thellë seç kemi menduar. Sa u përket marrëdhënieve tona historike, mund të nxirren disa konkluzione kryesore. Politika bullgare ndaj shqiptarëve është e palëkundshme pas vitit 1913 dhe është e qartë – miqësi dhe bashkëpunim me tërë faktorin politik dhe intelektual shqiptar. Bullgaria dhe udhëheqësit e saj gjithnjë kanë pasur dëshirë dhe kanë punuar për përforcimin dhe për konsolidimin e faktorit politik shqiptar në Ballkan, sepse kjo na konvenon shumë. Qëllimi i gjeopolitikës bullgare në Ballkan gjatë shekullit të fundit është të kemi për aleat një Shqipëri të fortë dhe të unifikuar. Prandaj, Bullgaria gjithnjë ka punuar për konsolidimin e faktorit shqiptar, krejt ndryshe nga Serbia dhe Greqia, por në dekadat e fundit edhe Maqedonia e Veriut, që gjithmonë kanë kërkuar ta përçajnë dhe ta dobësojnë faktorin shqiptar që t’i realizojnë planet e tyre gjeopolitike duke u “dakorduar” me qarqe të papërgjegjshme në politikën shqiptare.

SHENJA: A mund të na shpjegoni se cilat janë marrëdhëniet aktuale të Bullgarisë me Kosovën dhe me Shqipërinë?

Pançev: Kur Republika e Shqipërisë e njohu zyrtarisht pakicën bullgare në vitin 2017, kjo u vlerësua tepër lart në Bullgari, sepse Shqipëria është shembull në Ballkan për mirësjellje të vazhdueshme ndaj komuniteteve pakicë në territorin e saj. Kjo tregon qartë se Shqipëria dhe populli shqiptar gjithmonë kanë ndjekur standardet më të larta humane ndaj të tjerëve, edhe pse kundër shqiptarëve janë kryer gjenocide të tmerrshme gjatë shekullit XX, por edhe sot bëhen përpjekje për fshirjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kjo politikë e shtetit shqiptar ndikoi shumë në zhvillimin e bashkëpunimit tonë dhe duke u bazuar mbi traditat tona të miqësisë është lehtë të bëhet parashikimi se marrëdhëniet ndërmjet Bullgarisë dhe Shqipërisë do ta vazhdojnë trendin pozitiv, por duhet të thellohen edhe më shumë në fushën e ekonomisë dhe në fushën e kulturës.

Duke i analizuar marrëdhëniet bullgaro-shqiptare, një vend të veçantë meriton përkrahja bullgare për ngritjen e Kosovës si shtet. Që pas fillimit të operacionit ushtarak në vitin 1999, institucionet bullgare kanë marrë vendim që ta përkrahnin përmes sigurimit të mbështetjes logjistike për NATO-n. Në etapën e ardhshme, pas luftës, Bullgaria e ka mbështetur operacionin paqeruajtës në Kosovë dhe, në vazhdim të politikës së saj parimore në lidhje me çështjen e Kosovës, Bullgaria e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, ndërsa e vazhdon mbështetjen e saj për shtetin e ri, duke i përdorur resurset e saj politike dhe diplomatike për këtë qëllim. Mendoj se edhe Republika e Kosovës duhet të bëjë përpjekje të vazhdueshme për kuptimin e politikës bullgare kundrejt Ballkanit Perëndimor dhe, në veçanti, kundrejt Serbisë. Bullgaria bëri një gabim se nuk e kushtëzoi Serbinë që në fillim të negociatave me BE-në. Duhej ta kushtëzonte me të drejtat e pakicës bullgare në Serbi, me hapjen e dosjeve të shërbimeve represive serbe (jugosllave), me zbulimin e elaborateve serbe dhe mekanizmin gjenocidial kundër bullgarëve, shqiptarëve dhe disa komuniteteve të tjera në dy shekujt e fundit. Por, ende ka kohë që ky gabim të riparohet dhe Serbia të bllokohet në proceset euro-intgruese dhe të detyrohet të kërkojë falje edhe për projektet e saj shoviniste.

Në lidhje me zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-bullgare mund të bëhen edhe disa parashikime për vitet në vijim. Së pari, Bullgaria do ta vazhdojë mbështetjen e saj të plotë për Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian. Së dyti, Bullgaria e ka mbështetur, e mbështet dhe do ta mbështetë Kosovën, kur ky shtet do të ballafaqohet me sfida të ndryshme. Së treti, institucionet e Bullgarisë nuk kanë dhe nuk do të kenë qëndrim negativ ndaj kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut kur bëhet fjalë për përmirësimin e statusit të tyre në këtë shtet. Sa i përket kontestit Shkup-Sofje, neve na mjafton edhe neutraliteti miqësor nga ana e faktorit shqiptar. I falënderojmë miqtë tanë shqiptarë, që në ndonjë mënyrë kanë treguar mirësjellje ndaj qëndrimit bullgar. Nuk do ta harrojmë. I respektojmë edhe opinionet e këtyre figurave shoqërore, që kanë dalë kundër qëndrimit bullgar – qoftë për shkak të emocioneve, qoftë për shkak të faktit që puna ose karriera e tyre varet nga institucionet e Shkupit, qoftë për shkak të taktizimeve të tyre politike. Është e drejta e tyre. Prapëseprapë, marrëdhëniet politike shqiptaro-bullgare nuk mund të nxirren jashtë zhvillimeve gjeopolitike në Ballkan. Këtu mund të fillojmë me pak histori. Para Luftërave Ballkanike Mbretëria Bullgare ishte shteti më i fortë në Ballkan, por ishte vendi qendror dhe pretendimet e të gjitha shteteve të tjera e kanë zënë ngushtë. Bullgaria edhe tani është vendi qendror në rajonin tonë nga pikëpamje gjeografike, por situata gjeopolitike është ndryshuar në mënyrë thelbësore. Turqia dhe Greqia kanë mosmarrëveshje shumë serioze, Serbia është kapur keq me shumë prej fqinjëve të saj, duke pasur edhe telashe të mëdha të brendshme, madje edhe Rumania do ta thellojë konfliktin me Rusinë për interesin esencial rumun-molldavi. Thënë ndryshe, Bullgaria ka hapësirë dhe kohë për rregullimin e problemeve të brendshme të lidhura me reformimin e punës së institucioneve dhe me përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në fushën e jashtme nuk kemi probleme dhe presione të rënda mbi interesat tona thelbësore. Me resurset tona modeste në vitet (ose dekadat) në vijim do ta zgjidhim në favorin bullgar kontestin me Shkupin. Greqia, Serbia e Rumania pa dyshim nuk dëshirojnë që Bullgaria të ketë sukses në këtë drejtim, sepse në ndonjë mënyrë simbolike Sofja do ta rishikonte rezultatin nga Luftërat Ballkanike, por liderët e këtyre shteteve heshtin, sepse nga Bullgaria varen ekuilibrat në Ballkan. Bullgaria ka sjellje të moderuar në politikën rajonale, ndonëse shihet qartë se Sofja ndërton ngadalë-ngadalë një partneritet strategjik me Turqinë, që mund të vërehet p.sh. me shqyrtimin e politikës së Bullgarisë në favor të Turqisë në nivelin e BE-së. Në këto rrethana gjeopolitike nga pikëpamje bullgare a do të ketë apo nuk do të ketë marrëdhënie strategjike ndërmjet Bullgarisë dhe shteteve (dhe organizatave) shqiptare, kjo varet kryesisht nga faktori politik dhe intelektual shqiptar.

Është normale që Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të kenë prioritete të ndryshme, por nëse faktori shqiptar në përgjithësi ka interes për bashkëpunim strategjik me Bullgarinë, mund të paraqesë një qëndrim të konsoliduar në Sofje dhe ajo do të shqyrtohet me vëmendje nga institucionet përgjegjëse bullgare. Ky qëndrim eventual duhet të mbështetet nga faktorët vendimmarrës në shtetet dhe organizatat politike shqiptare, duhet t’i trajtojë në mënyrë komplekse marrëdhëniet tona dhe të përmbajë propozime të qarta dhe të garantuara për palën bullgare. Nëse faktori intelektual dhe politik shqiptar nuk mendon se Bullgaria është faktor i rëndësishëm ose nuk mund të bashkohet për veprime të tilla, për ne nuk është problem dhe nuk mund të priten dot veprime antishqiptare në Bullgari. Në këtë lidhje, secili analist e secili politikan shqiptar, që dëshiron t’i prezantojë mendimet e tij në Sofje, është i mirëseardhur. Gjithsesi, në përballjen e tyre me sfidat e lartpërmendura, shqiptarët i kanë simpatitë tona më të sinqerta.

Anton Pançevi lindi më 28 dhjetor 1978 në qytetin Srednogorie. Shkollën e mesme me profil ekonomik e ka mbaruar në vitin 1997. Ka studiuar në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ku ka mbaruar Degën e Shkencave Politike (1997-2003, Master) dhe Degën e Ballkanistikës (2000-2005, Master). Në vitin 2013 e ka mbrojtur disertacionin me temë qendrore zhvillimet politike në Shqipëri pas vitit 1991 dhe e ka marrë titullin Doktor i Shkencave Politike. Nga viti 2009 është profesor asistent në Degën e Ballkanistikës, ku ligjëron shqip dhe disa lëndë zgjedhore për zhvillimet politike në Ballkan. Ka mbi 50 punime shkencore në shqip, bullgarisht dhe anglisht, të botuara në disa vende, në të cilat trajtohen marrëdhëniet bullgaro-shqiptare nga pikëpamje historike, politike dhe gjuhësore. Ka marrë pjesë në mbi 30 konferenca shkencore në Bullgari dhe në vende të tjera. Ka përkthyer 10 libra nga shqipja në bullgarisht dhe anasjelltas, si edhe shumë tekste të tjera. Merret edhe me analiza politike për gazeta dhe revista, ku në fokus janë marrëdhëniet bullgaro-shqiptare. Nga viti 2013 është anëtar i Institutit Shkencor Maqedonas në Sofje, që është themeluar në vitin 1923 nga intelektualë të shquar bullgarë nga Maqedonia, me qëllim të mbrojtjes së trashëgimisë historike, kulturore dhe shpirtërore bullgare në territorin historik të Maqedonisë. Flet anglisht, rusisht, shqip dhe kupton greqisht dhe rumanisht.

Related Articles

Back to top button
Close
Close