
Një pyetje e thjeshtë, por me përgjigje domethënëse: sa kombëtare e kanë fituar Kupën e Botës me një trajner të huaj në stol? Përgjigjja është zero. Asnjë skuadër nuk ka arritur të ngrejë trofeun më të madh të futbollit botëror pa pasur një trajner të lindur në të njëjtin vend.
Historia kujton vetëm dy raste shumë pranë suksesit me trajnerë të huaj në finale të Botërorit. Një prej tyre ishte austriaku Ernst Happel, i cili në vitin 1978 drejtoi Holandën deri në finalen e Buenos Airesit, ku u mposht nga Argjentina. Tjetri ishte anglezi George Raynor, që udhëhoqi Suedinë në finalen e Botërorit 1958, e humbur ndaj Brazilit të Pelé-s.
Në këtë Botëror, numri i trajnerëve të huaj ka arritur në nivele rekord. Nga 26 kombëtare, 23 drejtohen nga teknikë të huaj, një shifër që përfaqëson më shumë se gjysmën e turneut.
Në Amerikën e Jugut, vetëm Argjentina mbështetet në një trajner vendas si Lionel Scaloni, ndërsa kombëtaret e tjera kanë zgjedhur emra të njohur ndërkombëtarë si Gustavo Alfaro (Paraguai), Sebastián Beccacece (Ekuador), Marcelo Bielsa (Uruguai) dhe Néstor Lorenzo (Kolumbi).
Edhe në Evropë, disa nga kombëtaret më të mëdha kanë zgjedhur trajnerë të huaj: Anglia drejtohet nga gjermani Thomas Tuchel, Portugalia nga spanjolli Roberto Martínez, Suedia nga anglezi Graham Potter, Belgjika nga francezi Rudi Garcia dhe Austria nga Ralf Rangnick.
Në Afrikë, shumë përfaqësuese kanë zgjedhur gjithashtu trajnerë të huaj, si Afrika e Jugut me Hugo Broos, Algjeria me Vladimir Petković dhe Ghana me Carlos Queiroz.
Edhe në zonën CONCACAF dhe më gjerë, situata është e ngjashme: SHBA drejtohet nga Mauricio Pochettino, Kanadaja nga Jesse Marsch, ndërsa Panama, Katari, Haiti, Curaçao, Arabia Saudite, Iraku dhe Jordania kanë gjithashtu trajnerë të huaj në pankinë.
Ky Botëror po paraqitet si një nga më të globalizuarit në histori, ku identiteti i kombëtareve në pankinë është më i hapur se kurrë më parë. Mbetet për t’u parë nëse ky trend do të sjellë edhe një ndryshim historik në rezultatet e turneut, apo nëse tradita do të mbetet e pathyeshme: që Kupa e Botës fitohet vetëm me trajner vendas.



