LajmeMaqedoniTopLajm

ALI AHMETI: BDI FAKTOR PËRCAKTUES PËR KRIJIMIN E QEVERISË – S’HEQ DORË NGA KRYEMINISTRI

Ali Ahmeti: Po a vetëm unë duhet të bëj kompromise? Nuk ka kompromis të njëanshëm. Të dyja palët duhet të bëjnë kompromise.

Kujt ia merr mendja dhe është i përgatitur që të bëjë procese në këtë vend pa BDI-në, më duket se ka guxim të tepruar” – deklaroi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shkruan Insjaderi.

Duke folur për TV Klan Maqedoni, Ahmeti la të kuptohet se nuk ka për të hequr dorë nga kërkesa që kryeministri i ri të jetë shqiptar edhe me çmimin e kalimit të partisë së tij në opozitë.

Ahmeti dhe partia e tij, më 15 korrik kanë korrur një ndër fitoret më të mëdha, në përgjithësi, në të gjitha ciklet zgjedhore, nga viti 2002 e këtej. Kjo për shkak se si kurrë ndonjëherë më parë, gjatë muajve të fundit, ai dhe BDI, ishin në epiqendër të kritikave dhe akuzave, si nga opozita shqiptare, ashtu dhe nga pozitë-opozita maqedonase.

Oponentët e tij politik shqiptarë, kur është fjala për arritjet e tre viteve të shkuara, thanë e po thonë se merita u përket atyre, partnerët maqedonas në ekzekutiv – rrahin gjoks se janë ata të cilët u dhanë udhë problemeve, ndërsa për dështimet, edhe të parët, edhe të dytët, por edhe opozita maqedonase, nuk kanë hezituar të drejtojnë gishtin pikërisht nga Ahmeti.

“Po, të gjithë kanë qenë kundër, por nuk ishin kundër shqiptarët”, – tha Ahmeti pa fshehur kënaqësinë që opozita, as në këto zgjedhje, nuk ia doli që ta spostojë nga froni i liderit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Bashkimi Demokratik për Integrim me 15 deputetë është bërë faktori përcaktues për krijimin e mazhorancës së legjislaturës së re, pra edhe për krijimin e qeverisë që do të duhet t’i prijë vendit në një periudhë aspak të lehtë të përballjes me pandeminë e Coronavirusit, të çuarjes përpara të procesit të integrimit në familjen evropiane, por edhe të vendosjes së shtetit të së drejtës dhe përfundimisht kur njerëzit e zakonshëm presin përmirësimin e cilësisë së jetesës.

Mirëpo, në këtë rrafsh, objektivi i Ahmetit për një kryeministër shqiptar, duket se ka për të qenë një kafshatë e madhe dhe vështirë e kapërdishme për palën maqedonase.

Përkundër kësaj, ai përmend ato që i quan “vija të kuqe” për bashkëpunimin eventual.

“Sigurisht, unë po i riafirmoj vijat e kuqe, nuk ka kthim pas: Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë (me Bullgarinë) vettingu, dhe Kryeministri shqiptar”, – tha kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, duke siguruar se nuk do të hiqet dorë nga kjo ofertë e fundit që nëse nuk pranohet mund ta çojë këtë forcë politike në opozitë:

Kujt ia merr mendja dhe është i përgatitur që të bëjë procese në këtë vend pa BDI-në, më duket se ka guxim të tepruar! Të gjitha palët duhet t’i ulin tensionet, t’i lënë prapa emocionet dhe foklorizmat dhe të gjithë të mendojmë bashkarisht se si t’i çojmë proceset përpara!”, – thotë Ahmeti, njofton Gazeta Online Insajderi. 

Ndërkaq, i pyetur se a mund të ketë kompromis lidhur me këtë, ai përgjigjet – po me pyetje: ”Po a vetëm unë duhet të bëj kompromise? Nuk ka kompromis të njëanshëm. Të dyja palët duhet të bëjnë kompromise”, – ka thënë Ali Ahmeti./Insajderi.com

Related Articles

Back to top button
Close
Close