LajmeSport

Albertini kritikon ish-shokët e skuadrës në krye të “Axurrëve”: Guardiola i bën dëm futbollit tonë, nuk kemi cilësinë e Spanjës

Ish-futbollisti i kombëtares italiane mbron idenë se Italia (Azzurra) duhet të kopjojë procesin e formimit të Spanjës, t’u japë më shumë hapësirë të rinjve dhe të ndalojë kërkimin e recetave magjike në stol.

Mund të duket absurde, por Demetrio Albertini (Besana in Brianza, 1971) mendohet dhe merr kohën e nevojshme për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, pasi gjatë këtyre ditëve po ndërtohet një strukturë e tërë mbi të cilën do të rrotullohet futbolli italian gjatë dekadave të ardhshme. Është e nevojshme të zgjidhet mirë materiali dhe të punohet me kujdes e qetësi, në mënyrë që Italia të shkëlqejë sërish në panoramën e futbollit, e cila sot duket e zbehur.

Kombëtarja duhet të dalë një herë e mirë nga “Koha e Mesme”, ku ende bashkëjetojnë terma të vjetruar. Duhet, ndoshta, të harrojë atë të kaluar që nuk ekziston më. Të shkulë nostalgjinë e futbollit të rrugës, të pastrojë mbetjet e catenaccio-s si njësi matëse dhe të çlirohet nga kalkulatoret për të përmirësuar bukurinë e lojës. Të çlirohet nga vetvetja, në fund të fundit. Të çmontojë veten për t’u rindërtuar sërish. Të reshtë së qeni peng e vetvetes për të ecur përpara. Të kthehet tek ari i vërtetë, duke braktisur shkëlqimin e rremë.

INTERVISTA

Para se të ndalemi tek Italia, do të dëshiroja t’ju pyesja për Botërorin. Çfarë ju ka bërë përshtypje apo çfarë ju ka surprizuar te Spanja?

Më ka pëlqyer shumë. Një ekip i ri që ka fituar në mënyrë të merituar. Jo vetëm që mposhti Argjentinën, por edhe Francën… Po, atë Francë favorite që dukej se do ta merrte trofeun gati pa mundim. Shumë talent, por mbi të gjitha organizim i madh. Aty është çelësi, sepse është thelbi i mënyrës se si e përjetojnë futbollin.

Flisnit pak kohë më parë në La Repubblica. Ju pyetën për Guardiolën si përzgjedhës hipotetik, si dhe për stilin, idenë e filozofinë. Ju dhatë këtë përgjigje: “Nuk duhet të kopjojmë kërkënd”, “Trajneri që do të vijë duhet të jetë shumë i bindur për atë që do të bëjë”.

Ato janë dy gjëra të ndryshme. Për Pep Guardiolën, çfarë të thuash… Po flasim për një nga më të mëdhenjtë, pa dyshim. Ai duhet të jetë i bindur për të punuar këtu. Duhet të kuptojë nëse filozofia e tij përshtatet. Le ta shohim… ADN-ja e futbollit italian ndryshon nga ajo e Spanjës në mënyrën e interpretimit të lojës. Ne duhet të kopjojmë një rrugëtim në mënyrë që talentet tona të marrin vlerë. Aty është pika. Besoj se në Itali sot kjo rrugë nuk është e projektuar, ndërsa në Spanjë, me stilin e saj unik, po. Nuk mund të ndryshohet ADN-ja.

La Gazzetta dello Sport shkruante se pengesa kryesore ishin paratë. Siç duket, ai kërkonte 20 milionë euro, ndërsa Federata Italiane (FIGC) – me ndihmën e Serie A – i ofronte 10 milionë. Drejtuesit e kanë përgënjeshtruar këtë lajm. Tingëllon shumë më e besueshme ajo që thoni ju, ndoshta arsyeja e madhe që e bën trajnerin katalanas të dyshojë, përveç faktit që kërkon një vit pushim dhe të jetë pranë familjes.

Nuk e di, sepse nuk kam folur me të. Këto janë të gjitha hipoteza. Të marrësh drejtimin e Italisë është një sfidë e madhe. Nuk e di nëse peshon më shumë pengesa e filozofisë dhe e organizimit, apo dëshira për të bërë diçka të madhe me një kombëtare të rëndësishme si Italia.

Të enjten, më 23 korrik, Giovanni Malagò (presidenti i Komitetit Olimpik), së bashku me dy emrat e rinj (Leonardo dhe Paolo Maldini), deklaruan se përveç Guardiolës kanë folur edhe me Carlo Ancelottin. Emra të tjerë të përfolur nga mediat janë Roberto Mancini, Antonio Conte apo Andrea Pirlo. Nuk më duket se ka një linjë të qartë drejtuese. Jeni dakord? Po flasim për një përzgjedhës kombëtareje dhe jo për një trajner klubi. Nuk është e njëjta gjë. Kur isha drejtues në Federatë, më duhej të diskutoja me presidentin për zgjedhjen e teknikut tonë. Ndonjëherë ka filozofi të ndryshme që më pas funksionojnë shumë mirë në Kombëtare. Ne nuk kemi një rrugëtim filozofik si ai spanjoll, por kemi katër kampionate botërore dhe disa evropianë. Futbolli është i mrekullueshëm sepse të çon drejt fitores në mënyra të ndryshme. Po të mendojmë për finalen e një Botërori, po të kishte shkuar me penallti… kush thotë që nuk do të fitonte Argjentina, edhe pse luajti në mënyrë të ndryshme? Diversiteti i interpretimit të lojës është i jashtëzakonshëm. Pastaj, mund të të pëlqejë më shumë njëri apo tjetri model, çka është plotësisht e zakonshme.

Po flisnim për listën, ku janë konfirmuar vetëm Guardiola dhe Ancelotti, që përfaqësojnë dy botë krejtësisht të ndryshme të futbollit.

Stili i Carlos është i ndryshëm nga ai i Pepit, por më lejo të të thëm diçka…

Çfarë?

Përveç Andrea Pirlos, i cili mund të jetë e vetmja bast-eksperiment (për shkak të marrëdhënies së ngushtë me Maldinin), të tjerët përfaqësojnë katër modele krejtësisht të ndryshme menaxhimi. Të gjithë të suksesshëm. Janë katër trajnerë të mëdhenj. Katër rrugë të ndryshme për të fituar.

Këto ditë po lexoja Filippo Gallin, ish-futbollistin e Milanit. Ai thotë gjëra interesante: “Italia nuk është e gatshme për një si Guardiola”“Pep? Nuk do t’ia nisja nga maja, por nga baza”. Ai flet për zhvillimin e një mendimi futbollistik për të pretenduar më pas maksimumin. Është sikur Guardiola të duhet të jetë “qershia mbi tortë”.

E kuptoj. Më parë folëm për rrugëtimin dhe dhënien e vlerës të rinjve tanë. A e dini se sa kampionë spanjollë të Botërorit të fundit kanë luajtur në ekipet e tyre të zëvendësve (ekipet B)? Besoj 22 nga 26. Po të kthehemi prapa, në vitin 2010, përsëri më shumë se 20. Pra, rreth 90%. Rodri, për shembull, a e dini sa ndeshje ka luajtur me ekipin B të Villarrealit? Më shumë se 40. Këto janë pothuajse dy kampionate të plota. Po flasim për kapitenin, fituesin e Topit të Artë… Ky është një proces formues.

Pikërisht ajo që i mungon Italisë.

Po. Më parë e kishim. Sot pak futbollistë italianë mbërrijnë të përgatitur në ekipin e parë për të konkurruar në Serie A. Osohë pak. Akoma më të pakta janë klubet me guximin për të besuar te talentet e vendit. Kështu ata nuk do të munden kurrë të maturohen apo të arrijnë nivele të larta. U frenojmë potencialin. Në Spanjë, një talent 17-vjeçar ka mundësi të tregojë veten. Menjëherë e bëjnë të debutojë me të rriturit. I japin hapësirë. Kur isha te Barça, më kujtohet Iniesta, i cili atëherë ishte 18 apo 19 vjeç. Prej tre vitesh flitej për të. I dhanë kohë për t’u bërë ai Iniesta që njohëm të gjithë.

Si Lamine Yamal apo Cubarsí, për shembull.

Sigurisht, edhe pse këta të fundit tashmë janë titullarë. E dini që ajo Barça kishte të huaj si Ronaldinho, Deco, Giuly, Eto’o… Iniesta nuk gjente gjithmonë hapësirë, por ishte aty me ekipin e parë që në moshë shumë të re. E njohim edhe në Itali kur ende nuk ishte titullar i padiskutueshëm. Sot, në vendin tim, nuk ka të rinj 17 apo 18-vjeçarë në Serie A. As në stol nuk i gjen.

Disa zëra thonë se disa agjentë kanë arritur të paguajnë që futbollistët e përfaqësuar prej tyre të grumbulloheshin me Italinë. A është futbolli peng i menaxherëve?

Kam qenë për vite me radhë te Kombëtarja… Nuk kam asnjë ide për këtë. Sigurisht që nuk është e vërtetë. Thuhen kaq shumë gjëra të rreme saqë kalojnë si të vërteta. Çështja është se kush është peng i kujt. Për më tepër, pse nuk ndodh kjo në vende të tjera? Mund të ndodhte kudo, sepse agjentët menaxhojnë edhe lojtarë të huaj. Nuk besoj se paguan dikush që të luajnë lojtarët e tij. Problemi është se ne kemi pak lojtarë të mirë, sepse pak italianë luajnë. Nga ekipet pretendente në Serie A, vetëm Interi aktivizon disa. Nuk ka ku të zgjedhësh.

Në Itali po debatohet mbi dy modele: një model federal në stilin e De la Fuente dhe një model tjetër klubi si Conte. Çfarë mendimi keni?

Ne nuk kemi trajnerë që të kenë kaluar të gjitha kategoritë e moshave derisa të mbërrijnë te kombëtarja e rritur. Nuk ka një rregull fiks për fitoren. Marcello Lippi (që fitoi Botërorin në 2006) nuk ishte trajner i sistemit federal. Mancini, i cili fitoi Evropianin, po ashtu jo. Në Itali jemi shumë të mirë për të folur e për të kritikuar. Në kohën e vet lëvdohej akademia e Barçës; më pas erdhi modeli gjerman i qendrave federale; pastaj shkollat franceze… Tani kthehemi përsëri te modeli spanjoll. Për të folur jemi të parët, por ajo që duhet kopjuar është puna që bëhet jashtë për t’u dhënë vlerë të rinjve. Asgjë më shumë. Nuk duhet të kopjojmë stilin, sepse ne nuk mund të bëjmë tiki-taka. Ato kombëtare tona të viteve 1994 apo Euro 2000 kishin karakteristikën e tyre dhe ishin të mbushura me yje, por kurrë nuk luajtën si Spanja.

Italia, pra, duhet të shpëtojë vetveten. Të nxjerrë sërish versionin e saj më të mirë pa parë jashtë.

Brazili në vitin 1994 kishte Bebeton dhe Romarion, por nuk ishte më i mirë se ai i vitit 1982. Madje as se ai i vitit 2002, me Ronaldon, Rivaldon apo Ronaldinhon. Në ato vite, Spanja kishte një super-ekip dhe nuk fitonte. Kjo më habitonte gjithmonë. Ndoshta sepse nuk ishte një “ekip” i bashkuar, siç është sot. Kjo është e gjitha.

Related Articles

Back to top button
Close
Close