
Feja që u bë pjesë e shpirtit shqiptar, jo kufi mes shqiptarëve.
Në ditët e fundit, në hapësirën shqiptare është aktuelizuar debati si dhe përpjekja për ta paraqitur shqiptarin, sidomos shqiptarin mysliman, përmes një fotografie të huazuar.
Problemi fillon atëherë kur “feja pushon së qeni vlerë shpirtërore dhe shndërrohet në instrument interesi.”
Shqiptarët këtë dallim e kanë kuptuar shumë herët.
Ne kemi ardhur deri këtu jo sepse kemi qenë një popull pa dallime fetare, por pikërisht sepse kemi ditur të jetojmë me to. Në trojet shqiptare, xhamia, kisha katolike dhe kisha ortodokse nuk kanë qenë domosdoshmërisht mure që ndanin njerëzit, por pjesë të një peizazhi të përbashkët shpirtëror e kulturor.
Kjo është një prej pasurive më të mëdha të qytetërimit shqiptar.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm kur dikush, nga jashtë apo nga brenda, përpiqet të na bindë se shqiptari duhet ta ndërtojë identitetin e tij mbi përplasjen fetare.
Islami që u përhap ndër shqiptarë nuk mbeti një trup i huaj i vendosur mbi një popull. Ai kaloi nëpër gjuhën, kulturën, zakonet, familjen dhe psikologjinë e shqiptarëve dhe u shndërrua në një mënyrë shqiptare të jetimit të besimit.
Mjafton të kujtojmë zërat e vjetër të muezinëve dhe hoxhallarëve tanë.
Ezani me zë unik që jehonte nga minaret e fshatrave dhe qyteteve tona nuk kishte vetëm tingullin e një thirrjeje fetare. Kishte një melodi autentike të njohur, një intonacion të trashëguar, një zë, melodi që i përkiste traditës së vendit ku dëgjohej. Po kështu mevludi, këndimi i Kuranit, mënyra e të folurit të hoxhallarëve të vjetër dhe vetë atmosfera e xhamive tona krijuan një kujtesë të veçantë, të rrënjosur në kulturën shqiptare.
Këtë kujtesë e mbajmë edhe në shtëpitë tona.
E mbajmë në mënyrën se si gjyshet tona visheshin, në thjeshtësinë e tyre, në shaminë mbi kokë, në veshjen e përmbajtur dhe në kodin moral që nuk kishte nevojë për demonstrim.
Feja jetonte dhe akom jeton ndër ne.
Dhe ndoshta këtu qëndron një prej dallimeve më të mëdha mes besimit autentik të trashëguar dhe tendencave të formave të importuara të religjiozitetit.
Nëse duam ta kuptojmë këtë shpirt, duhet të kthehemi te letërsia jonë.
Nga bejtexhinjtë te Rilindja.
Te Nezim Frakulla, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Kyçyku dhe tradita e bejtexhinjve, ku besimi, morali dhe gjuha shqipe u takuan në një hapësirë të përbashkët kulturore.
Më pas, në Rilindjen Kombëtare, kjo marrëdhënie mori një dimension edhe më të madh.
Naim Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe rilindësit e tjerë nuk e ndërtuan kombin shqiptar mbi përjashtimin e besimit të tjetrit. Përkundrazi, ata e kuptuan se shqiptarët duhej të bashkoheshin përtej dallimeve fetare.
Filozofia e thënies së Pashko Vasës, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, nuk ishte mohim i fesë. Ishte një thirrje kundër shndërrimit të fesë në kufi kombëtar.
Sepse për rilindësit ishte e qartë ajo që sot ndonjëherë duket sikur e kemi harruar:
Shqiptari mund të jetë mysliman, katolik apo ortodoks dhe përsëri të jetë pjesë e të njëjtit trung kombëtar.
Kjo nuk është dobësi.
Është qytetërim.
Edhe Ehli Bejti është pjesë e kësaj kujtese
Në kujtesën shpirtërore shqiptare nuk mungon as respekti për Ehli Bejtin, për familjen e Profetit Muhamed dhe veçanërisht për figurën e Imam Hysenit, simbolin e sakrificës për të vërtetën dhe drejtësinë.
Kjo kujtesë është e pranishme në forma të ndryshme në traditat tona fetare dhe kulturore, ndërsa trashëgimia e bektashizmit shqiptar, e lidhur ngushtë me historinë e kombit, ka krijuar një prej shprehjeve më karakteristike të këtij universi shpirtëror.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe historia e bektashizmit në Shqipëri janë shembuj të qartë se si një traditë fetare mund të ndërthuret me kulturën, historinë dhe identitetin shqiptar pa e shndërruar fenë në armë kundër tjetrit.
Prandaj, kur flasim për traditën shqiptare, nuk duhet të kërkojmë vetëm doktrinën.
Duhet të kërkojmë “kujtesën”.
Duhet të dëgjojmë zërat e të parëve.
Duhet të lexojmë librat e tyre.
Duhet të shohim si kanë jetuar.
Mos ta lëmë fenë të na e rrëmbejë kombin
Sot, rreziku nuk është që shqiptari të jetë mysliman, katolik apo ortodoks.
Rreziku është që dikush t’i thotë shqiptarit se për të qenë besimtar duhet të bëhet pjesë e një projekti politik të huaj.
Feja është e shenjtë; instrumentalizimi politik i saj është i rrezikshëm.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për forma të reja të predikimit të fesë.
Nuk kanë nevojë as për një konflikt fetar.
Kanë nevojë të vazhdojnë ta predikojnë atë që e kanë pasur me shekuj.
Një Islam që mund të dëgjohej dhe dëgjohet në melodinë e ezanit të hoxhës së fshatit e qytetit.
Një Islam që gjyshja jonë e mbante në zemër dhe në sjellje, pa pasur nevojë ta përdorte si flamur kundër tjetrit.
Një Islam që bashkëjetonte me kishën katolike dhe atë ortodokse.
Një Islam që gjeti shprehje në poezinë e bejtexhinjve, në mendimin e rilindësve dhe në kujtesën e familjeve shqiptare.
Një besim që nuk e pyeste shqiptarin e përballë: “Çfarë feje je?”, para se ta pyeste: “Çfarë njeriu je?”
Kjo është trashëgimia që duhet ta mbrojmë.
Jo kundër Islamit.
Jo kundër katolicizmit.
Jo kundër ortodoksisë.
Por kundër çdo përpjekjeje që fenë e paraardhësve tanë ta kthejë në instrument për ndarjen e pasardhësve tanë.
Sepse shqiptarët kanë një pasuri që shumë kombe do ta dëshironin:
“kanë mundur të besojnë ndryshe pa pushuar së qeni një popull.”
Dhe kjo është një trashëgimi që nuk duhet t’ia dorëzojmë askujt.
As Lindjes.
As Perëndimit.
As politikës.
As ideologjive.
Sepse feja mund të vijë nga shumë vende, por mënyrën se si e jeton një popull, ajo e merr nga shpirti i atij populli.
Dhe shpirti shqiptar, në shekuj, ka ditur të besojë pa urryer, të lutet pa përjashtuar dhe të jetojë me tjetrin pa e humbur veten.



