
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për media pas takimit që ka pasur me Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen E. Donfried, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Gabriel Escobar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se gjatë takimit kanë diskutuar për nevojën për progres në procesin e dialogut.
“Natyrisht që ne sot gjithashtu diskutuam për urgjencën dhe nevojën për progres në procesin e dialogut, gjithnjë të përqëndruar në njohjen reciproke. E ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë në dialog dhe se mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi i cili e ka në qendër njohjen reciproke dhe nga i cili do të përfitojnë përfundimisht qytetarët”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka thënë se ka shprehur zhgënjimit për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nga ana e Serbisë.
“Shfrytëzova gjithashtu rastin për të shprehur zhgënjimin për moszbatimin e marrëveshjeve të shumta të nënshkruara në Bruksel ana ana e Serbisë, duke përfshirë edhe refuzimin e Serbisë për shpërbërjen e strukturave ilegale të cilat vazhdojnë të frikësojnë serbët e Kosovës dhe përbëjnë sfidë serioze të sigurisë dhe sundimit të ligjit e të cilat udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga qeveria amerikane”, ka deklaruar e para e shtetit.
Tutje, Osmani ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me ShBA’në e partnerët e tjerë të Kosovës s’do të duhej të përcaktoheshin nga dialogu.
“As marrëdhënia jonë me aleatin tonë më të afërt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as marrëdhëniet tona me anëtarë të tjerë të komunitetit ndërkombëtarë nuk do të duhej të përcaktoheshin nga dialogu me Serbinë. Ne do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin dypalësh me partnerët tanë. Siç ka deklaruar edhe Biden, Kosova ka treguar vazhdimisht lidership në arënën ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.



