
Gjermania po ndan fonde për një “Plan Marshall” për të ndihmuar rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës, njoftoi Ministri gjerman i Financave Christian Lindner gjatë prezantimit të tij të buxhetit kombëtar për vitin 2022.
“Shpresojmë që paqja të rivendoset së shpejti. Pasi kjo të ndodhë, ne do të jemi atje për të ndihmuar rimëkëmbjen e vendit, për të punuar drejt një të ardhmeje të mirë dhe për të mbështetur rrugën drejt një partneriteti me BE-në”, shtoi ai.
Lindner njoftoi gjithashtu se qeveria do të paraqesë së shpejti një buxhet shtesë për të llogaritur masat e marra si reagim ndaj luftës, duke përfshirë këtu ndihmën ekonomike dhe hapat për të lehtësuar rritjen e çmimeve sidomos për produkte e shërbime bazë. Europa doli e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore, e në vitin 1947, ishte në prag të urisë. Sekretari i atëhershëm amerikan i shtetit, George Marshall propozoi një fond prej 13 miliardë dollarësh për rindërtimin e kontinentit të rrënuar, jo vetëm si një gjest bujarie, por sipas historianëve, për të ndaluar përhapjen e komunizmit nga Bashkimi Sovjetik.
Plani nxiste integrimin ekonomik evropian dhe federalizmin duke krijuar një kombinim të organizimit publik të ekonomisë private të ngjashëm me ekonominë në Shtetet e Bashkuara. Ky riorganizim i ekonomisë europiane solli fryte pozitive politike dhe ekonomike.
Top Channel



