Përmbytje kanë goditur Nepalin qendror të dielën, duke rrëmbyer dhjetëra shtëpi dhe duke lënë të paktën pesë persona të zhdukur. Ekipet e shpëtimit janë angazhuar në operacionet për gjetjen e personave të humbur dhe evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara.
Shefi i agjencisë kombëtare të fatkeqësive natyrore, Dharam Raj Uprety, tha se përmbytja u shkaktua pasi një rrëshqitje dheu kishte bllokuar rrjedhën e lumit, i cili më pas shpërtheu me forcë.
Sipas autoriteteve, të paktën 82 persona, përfshirë nëntë shtetas të huaj, janë shpëtuar nga zonat e prekura. Për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit dhe evakuimit janë angazhuar katër helikopterë.
Ndërkohë, nieli i ujit në lumin Budhi Gandaki ka vijuar të rritet. Autoritetet u kishin bërë më herët thirrje banorëve që të largoheshin nga brigjet e lumit dhe të zhvendoseshin në zona më të sigurta.
Fatkeqësia e fundit vjen në një kohë kur Nepali po përpiqet të rikuperohet nga përmbytjet shkatërruese të javëve të mëparshme. Sipas materialit të publikuar, përmbytjet e lidhura me shembjen e akullnajave malore më 26 gusht shkaktuan mbi 1,400 viktima dhe lanë më shumë se 5,000 persona të zhdukur.


