
Caqe të sulmeve ruse në Ukrainë kanë qenë edhe 18 institucione të shëndetësisë – ka njoftuar OBSH-ja. Ky njoftim erdhi pas shkatërimit të një spitali të lindjeve në qytetin e rrethuar Mariopol.
Sulmi në këtë qytet ndodhi në kohën kur dhjetëra mijëra civilë ukrainas po përpiqen që t`i braktisin rajonet që janë nën bombardimin e vazhdueshëm rus.
Autoritetet e Ukrainës kanë njoftuar se gjatë sulmit janë plagosur së paku 17 persona. Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar sulmin.
Për shkak të sulmeve të vazhdueshme, korridoret humanitare që ishin vendosur për t`i tërhequr civilët nuk janë realizuar sipas planifikimit.
OBSH-ja më 9 Mars ka konfirmuar 18 sulme ndaj institucioneve të shëndetësisë, që nga fillimi I invazionit rus, para dy javësh. Nga OBSH-ja konfirmojnë edhe 10 raste të vdekjeve gjatë këtyre sulmeve.
Këshilli I qytetit Mariopol ka njoftuar se sulmi rus ndaj spitalit ka shkaktuar dëme kolosale, derisa Presidenti ukrainas Zelenski në Tuitter ka shkruar se “nën rrënojat e spitalit ka njerëz dhe fëmijë” duke e cilësuar sulmin si “krim”.



