Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka komentuar protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se e ka pritur me dhimbje vendimin për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Mexhiti bëri thirrje për unitet të forcave politike dhe shprehu mbështetjen e tij për protestat.
“Me dhimbje e kam pritur vendimin për dënimin e katër krerëve të UÇK-së. Bëjmë thirrje për unitet të forcave politike dhe të bëjmë më të mirën që Gjykata e Apelit të hedhë poshtë këtë dënim të turpshëm”, tha Mexhiti.
Ai theksoi se VLEN i mbështet protestat në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, por kundërshton, siç tha, përpjekjet për t’u dhënë atyre ngjyrë partiake.
“Edhe nëse diku nuk kemi qenë fizikisht, jemi me protestat, përveç atyre ku ka tendencë për t’u dhënë ngjyrë partiake dhe për të përfituar pikë politike”, deklaroi Mexhiti.
Mexhiti tha se VLEN mbron fuqishëm UÇK-në e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, duke shtuar se janë të gatshëm të ndihmojnë protestat.
“Fuqishëm e mbrojmë UÇK-në e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe jemi në gatishmëri për ta ndihmuar protestën”, u shpreh ai.
Ai shtoi se edhe brenda VLEN-it ka ish-ushtarë të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve, të cilët, sipas tij, janë të bashkuar në këtë qëndrim.
“Ligji për përfaqësimin e drejtë”, Mexhiti: Opozita nuk e ka problemin te forma, por te kauza
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka kritikuar opozitën shqiptare lidhur me debatet për Ligjin për përfaqësimin e drejtë, duke thënë se ajo ka pasur mundësi që një ligj të tillë ta miratojë gjatë dy dekadave të fundit, por nuk e ka bërë.
Duke folur në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Mexhiti tha se çështja e përfaqësimit të drejtë është një nga temat e rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit.
“Prej vitit 2002 deri më 2015 nuk ka pasur as Ligj për përfaqësim dhe as balancues. Opozita shqiptare ka mundur të sjellë Ligj brenda 20 viteve, por nuk e ka bërë. VLEN, për këto dy vite, për çështjen e balancuesit që u abrogua edhe me lejen e opozitës shqiptare, solli Ligj që është avancim i kësaj çështjeje”, tha Mexhiti.
Sipas tij, kritikat e opozitës nuk lidhen me formën e ligjit, por me faktin se VLEN po e trajton këtë çështje.
“Nuk e kanë te forma, por te kauza që për 20 vite nuk kanë sjellë Ligj për përfaqësim të drejtë që është shtyllë e Marrëveshjes së Ohrit dhe tani kjo u dhemb”, deklaroi ai.
Mexhiti u bëri thirrje kundërshtarëve politikë që, siç tha, “të mos e pengojnë miratimin e ligjit”.
“I ftoj ta tejkalojnë vetveten që VLEN ta sjellë ligjin”, tha Mexhiti.
Ai foli edhe për punësimet dhe përfaqësimin e shqiptarëve gjatë dy viteve të fundit, duke pretenduar se kjo ka arritur nivelin më të lartë.
“Këto dy vite përfaqësimi i shqiptarëve është në shkallën më të lartë, 2.500 punësime”, tha ai.
Si shembull, Mexhiti përmendi Spitalin Klinik të Tetovës.
“Vetëm në Spitalin e Tetovës kishte mbi 150 punësime, ku aty janë mbajtur njerëzit 10 vite pa vendime pune dhe me kontratë”, shtoi Mexhiti.


