LajmeMaqedoniTopLajm

Qeveria me masa të reja mbrojtëse

Ekonomistët thonë me vendimin për kufizimin e marzhave do të pengohen tronditje të mëdha të çmimeve, por megjithatë qytetarët mund të presin rritje të caktuara të çmimeve. Sugjerojnë kujdes me anulimin e eventual të një pjese të tatimeve siç propozon opozita

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 8 mars – Përskaj kufizimit të marzhave prej pesë për qind me shumicë dhe dhjetë për qind me pakicë për bukën, sheqerin, kripën, miellin, vajin, qumështin, mishin, djathin, orizin, vezët, makaronat, grurin dhe pemë-perimet, prej një marsi deri në fund të muajit maj, ekzekutivi mendon edhe për masa të reja për të zbutur ndikimin e çmimeve tek qytetarët. Në ditët në vijim pritet të shqyrtohen dhe ofrohen edhe masa të reja për tejkalimin e situatës aktuale ekonomike. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ditë më parë theksoi se siç rritëm pagën minimale, pagën mesatare, pensionet, dhe realizuam gjashtë pako ekonomike, po punojmë për të sjellë edhe masa të reja për të zbutur ndikimin e çmimeve tek qytetarët.

Ekonomistët thonë me vendimin për kufizimin e marzhave do të pengohen tronditje të mëdha të çmimeve, por megjithatë qytetarët mund të presin rritje të caktuara të çmimeve. Sugjerojnë kujdes me anulimin e eventual të një pjese të tatimeve siç propozon opozita. Nga ana tjetër, pritet që kufizimi i marzhave si dhe masat e reja të ndihmojnë ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Njëherësh pritet që edhe kompetentët të ndjekin në terren dhe të kontrollojnë çmimet në bazë të rregulloreve të reja, ku pritet që prodhuesit dhe tregtarët ti përmbahen udhëzimeve të reja.

Përkeqësimi i standardit jetësor të qytetarëve, shtrenjtimi i naftës, gazit dhe rrymës, si dhe më shumë shërbimeve dhe prodhimeve të tjera nga ditë në ditë po sjell vështirësi të mëdha për kompetentët për të menaxhuar situatën. Pas krizës shëndetësore të pandemisë që solli krizë ekonomike dhe krizës energjetike, edhe lufta në Ukrainë do të dëmtojë mjaft ekonominë vendore. Një problem më vete që do të jetë vështirë të menaxhohet do të jetë edhe importi i pritshëm më i shtrenjtë i lëndëve të para, energjenseve si dhe ushqimeve nga jashtë.

Ekonomistët thonë se pas ngrirjes së çmimeve për tre muaj, masa e fundit për uljen e marzhave dhe fitimit të bizneseve do të zbusë goditjen për qytetarët. “Me vendimin për kufizimin e marzhave do të pengohen tronditje më të mëdha të çmimeve , por megjithatë qytetarët mund të presin rritje të caktuara të çmimeve. Pra, kufizimi i marzhës megjithatë mundëson një fitim të caktuar nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër mund të pritet edhe një rritje e caktuar e çmimeve për shkak se pas ngrirjes së çmimeve një pjesë e kompanive prodhuese do të shkojnë në drejtim të kompensimit të humbjeve. Njëherësh po vazhdon edhe paqartësia për një kohë të gjatë në aspektin e inflacionit, si dhe tani me luftë n në Ukrainë. Pra, mund të pritet që bizneset të veprojnë në mënyrë të mençur dhe racionale, si dhe të kemi shtrenjtime të caktuara”, thotë eksperti ekonomik, Borçe Trenovski.

Në ndërkohë, opozitarja VMRO-DMPNE angazhohet për uljen apo edhe anulimin e një pjese të tatimeve lidhur me energjenset duke ulur akcizën për karburantet për 50 për qind, TVSH-në për ushqimet nga pesë për qind në zero për qind, dhe zero për qind TVSH për ngrohjen.

Trenovski thotë se ulja e tatimeve ndoshta do të kishte efekt për një periudhë të caktuar, mirëpo shton se heqja dorë nga tatimet në prodhime të caktuara nënkupton edhe heqje dorë nga të ardhurat potenciale në arkën e shtetit që nënkupton se pamundësohet që të ardhurat të shfrytëzohen për dedikime të tjera qofshin ato sociale apo të tjera. Pra, duhet të shqyrtohet një mbrojtje më e madhe e kategorive më të rrezikuara sociale apo të grupit më të prekur social të qytetarëve, shton ai.

Related Articles

Back to top button
Close
Close