Toshkovski: Është koha që Maqedonia të punojë për vlerat evropiane, jo vetëm të flasë për to

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se Maqedonia duhet të kalojë nga deklaratat për përkushtimin ndaj integrimit evropian në zbatimin konkret të vlerave dhe standardeve evropiane.

Toshkovski foli në sesionin e 75-të të dialogut të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në vend (NKEU-MK), ku theksoi se institucionet, organizatat dhe individët duhet të tregojnë me rezultate konkrete se janë të përkushtuar ndaj këtyre vlerave.

“Besoj se ka ardhur koha që në Maqedoni, përveçse të flasim se jemi të përkushtuar ndaj rrugës së integrimit evropian dhe se duam të jemi pjesë e familjes evropiane, të fillojmë edhe të punojmë për këto vlera evropiane”, tha Toshkovski.

Ai theksoi se përkushtimi ndaj vlerave evropiane duhet të dëshmohet përmes projekteve konkrete, rezultateve dhe shembullit personal, si në institucione, ashtu edhe në gjyqësor, prokurori, pushtetin lokal dhe organizatat joqeveritare.

Ministri u shpreh se është e rëndësishme të ekzistojë bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, por parimet e drejtësisë, barazisë, ligjshmërisë dhe reciprocitetit duhet të vlejnë njësoj për të gjithë.

“Është mirë të bashkëpunojmë dhe të investojmë në rrugën tonë evropiane, por është mirë që parimet e normalitetit, drejtësisë, barazisë, së drejtës, sundimit të ligjit, reciprocitetit dhe përmbushjes së detyrimeve, të cilat janë pjesë e një rendi normal juridik, të vlejnë për ne ashtu siç vlejnë për të tjerët”, tha Toshkovski.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, ai tha se vendi gjatë viteve të fundit është përballur me sfida dhe pritshmëri të papërmbushura. Megjithatë, sipas tij, janë arritur edhe rezultate të dukshme, veçanërisht në fushën e teknologjisë dhe funksionimit të institucioneve.

Toshkovski tha se vendi në disa raste ka dhënë shumë në procesin e integrimit, ndërsa ka marrë më pak nga ajo që ka pritur.

“Shpesh kemi qenë ne ata që jemi mashtruar në këtë proces, që është dashur të japim diçka për të marrë diçka, ndërsa kemi dhënë pothuajse gjithçka dhe kemi marrë shumë pak nga ajo që kemi pritur dhe që duhet ta marrim”, deklaroi ai.

Sipas tij, reformat nuk duhet të bëhen vetëm për të përmbushur kërkesat e dikujt tjetër, por sepse ato janë në interes të qytetarëve dhe përmirësimit të standardit të jetesës.

Në fund, ministri u bëri thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të marrin përgjegjësinë për procesin e reformave.

“Ne vetë duhet t’i përveshim mëngët dhe ta bëjmë punën që duhet ta bëjmë. Të gjithë e dimë shumë mirë se çfarë duhet të bëjmë. Duhet të zbatojmë projekte, duhet të shohim rezultate, me qëllim që të lëmë pas një Maqedoni më të mirë se ajo që kemi sot. Mendoj se fëmijët tanë meritojnë një Maqedoni më të mirë se ajo në të cilën jetojmë sot”, përfundoi Toshkovski.