LSH: GATI NJË MUAJ SHKOLLË, DHE TRANSPORTI I NXËNËSVE ENDE NUK ËSHTË ZGJIDHUR!

GATI NJË MUAJ SHKOLLË, DHE TRANSPORTI I NXËNËSVE ENDE NUK ËSHTË ZGJIDHUR!

I nderuar kryetar Valbon,

Nuk dua të merrem me justifikimet, premtimet apo arsyet e menaxhimit të dobët të kësaj situate. Ato i gjykon vetë qytetari.

Dua të flas për ata që po e paguajnë faturën e këtij dështimi: PRINDËRIT.

Jo të gjithë kanë fatin të jetojnë 100 metra larg shkollës. Shumica e fëmijëve që mësojnë në Gostivar vijnë nga fshatrat përreth dhe çdo ditë prindërit duhet t’i dërgojnë në shkollë dhe t’i marrin përsëri në shtëpi.

Dy herë në ditë. Çdo ditë. Për një muaj.

Dhe kjo kushton.

Le të flasim me shifra, jo me fjalë.

Një familje nga Çegrani, me rreth 10 km distancë, bën afërsisht 40 km në ditë për transportin e fëmijës:

40 km × 22 ditë = 880 km në muaj.

Me një konsum mesatar prej 15 km/litër dhe çmim rreth 106 denarë për litër, vetëm karburanti shkon rreth 100 euro në muaj.

Dhe kjo vetëm për një fëmijë që duhet të shkojë në shkollë.

– Çegran – rreth 100 €

– Forinë – rreth 80 €

– Çajlë – rreth 40 €

– Turçan i Madh – rreth 30 €

– Llakavicë – rreth 60 €

– Debresh – rreth 40 €

– Vrapçisht – rreth 70 €

– Raven – rreth 50 €

– Vrutok – rreth 80 €

– Reçan – rreth 100 €

Ndërsa për familjet nga Dobërdolli, Negotina, Gradeci dhe fshatra të tjera, shpenzimet mund të shkojnë deri në 150 euro në muaj.

Dhe këto janë vetëm paratë për karburant.

Nuk kemi llogaritur mirëmbajtjen e automjetit, amortizimin, kohën e humbur nga prindërit, taksitë për ata që nuk kanë veturë, ushqimin, librat, fletoret dhe të gjitha shpenzimet e tjera që ka një familje me fëmijë në shkollë.

Tani bëjini vetes një pyetje, zoti kryetar:

Nëse do të kishe një pagë prej 500 eurosh dhe do të duhej të shpenzoje 100–150 euro vetëm për të dërguar fëmijën në shkollë, si do t’ia dilje?

Sepse për ju mund të jetë një problem administrativ.

Për këta prindër është një problem i përditshëm ekonomik.

Dhe këtu qëndron problemi më i madh: kur institucionet nuk e kryejnë detyrën e tyre, kostoja nuk zhduket. Ajo kalon te qytetari.

Ministria e Arsimit siguron mjete për funksionimin e sistemit arsimor dhe transportin e nxënësve, ndërsa detyra e pushtetit lokal është që këto mjete dhe mundësi t’i menaxhojë me përgjegjësi dhe në interes të nxënësve.

Prandaj pyetja nuk është më vetëm:

“Pse nuk është rregulluar transporti?”

Pyetja është:

Kush do t’ua kthejë prindërve paratë që po shpenzojnë çdo ditë për shkak të kësaj situate?

Kush do t’ua kthejë orët e humbura në rrugë?

Kush do t’u përgjigjet familjeve që nuk kanë mundësi të paguajnë taksi apo karburant?

Dhe mbi të gjitha:

Kush mban përgjegjësi për një problem që ka zgjatur pothuajse një muaj të tërë?

Qytetarët nuk kanë nevojë për arsyetime.

Prindërit nuk kanë nevojë për premtime.

Fëmijët nuk mund të presin.

Duhet zgjidhje. Tani.

Sepse shkollimi i fëmijëve nuk është privilegj dhe transporti i tyre nuk është luks.

Është përgjegjësi e institucioneve.

Dhe kur institucionet dështojnë, nuk duhet të jenë familjet ato që paguajnë çmimin e dështimit.

Vokrim Demiri

Zv. Koordinator i Lidhjes Shqiptare – Gostivar