
Flaket kanë zbritur edhe në afërsi të fshatit dukat
Në ditën e tetë zjarri në Karaburun ka marrë përmasa të rrezikshme. Flakët vijojnë të jenë aktive, ndërsa janë përparuar në drejtim të zonave të banuara dhe të parkut të Llogarasë.
Këto janë pamjet që vijnë nga mali sipër fshatit Dukat i ri, ku siç edhe shihet flakët janë shumë afër shtëpive.
Por ndërsa në këtë zonë zjarri po djeg kryesisht shkurre e kullota, në anën tjetër ai i është afruar pyllit të parkut të Llogarasë.
Vet ministri i Mbrojtjes pas mbledhjes së komitetit të mbrojtjes civile të ngritur për menaxhimin e situatës së zjarreve, bëri të ditur se flakët janë afro 2 kilometra larg këtij parku.
Për të shmangur djegien e këtij parku, gjatë ditës së sotme janë angazhuar rreth 500 forca ushtarake dhe ato të mbrojtjes civile nga toka, të cilat janë përqendruar kryesisht në lartësitë e Karaburunit, ndërsa në ndihmë të helikopterit të forcave të armatosura pritet që të mbërrijnë edhe dy të tjerë nga operatore privat të cilët po hedhin ujë nga ajri.
Autoritetet kanë bërë përpjekje për të siguruar nga vendet partnere edhe hidroplanë, por situata e ngarkuar me zjarre në gjithë rajonin e ka bërë këtë gjë të pamundur për momentin.
Gjatë natës është vënë nën kontroll edhe zjarri që ra në fshatin Palokastër të Gjirokastrës, i cili dogji disa hektarë kullota si dhe një numër të madh arrorësh.
Tv Klan



