
Disa ditë më parë ose më saktë me 1 qershor nga kjo jetë u nda ish-sponsori kryesor i KF Shkëndija të Haraçinës, Abdyl Syla, i njohur me nofkën Çiraki.
I ndjeri Syla ka qenë njëri nga kontribuesit më të mëdhenj të klubit të futbollit Shkëndija e Haraçinës, duke ndihmuar klubin shqiptar financiarisht gjatë viteve të 90-ta së bashku me Abdulla Ramadanin.
Abdyl Syla – Çiraku do të mbetet në kujtimet e një gjenerate të artë të futbollit haraçinas të asaj periudhe si një kontribues dhe mbështetës i denjë i futbollit. Angazhimi i tij si një nga sponsorët kryesorë, anëtar i Kryesisë, e më pas edhe Kryetar i KF Shkëndija Haraçinë, qasja e ndershme, serioziteti dhe puna e tij e palodhshme bënë që Çiraku të jetë një personalitet i respektuar dhe i çmuar jo vetëm nga futbolldashësit në Haraçinë, por edhe nga kolegët e tij të esnafit gjatë veprimtarisë së tij afariste me artarinë e tij “Çirak Artan”.
Shkëndija e Haraçinës asaj kohe ishte pjesë e Ligës së Dytë të vendit tonë dhe ishte bindshëm më e mira kundrejt konkurentëve tjerë që garonin në të njejtin kampionat.




