LajmeMaqedoniTopLajm

Fëmijët në Gostivar do të kenë një park modern

Urim HASIPI

Në një të ardhme të afërt, fëmijët në Gostivar do të kenë një park modern me të gjitha kushtet. Parku modern i quajtur parku inkluziv social do të jetë afër qendrës së qytetit, respektivisht në afërsi të shëtitores së sapondërtuar. Parku inkluziv social që do të ndërtohet tek Ish-shtëpia e pionierëve në qytetin e Gostivarit, u dedikohet fëmijëve të të gjitha moshave dhe fëmijëve me nevoja të veçanta. Dashmir Osmani, nga Zyra për zhvillim ekonomik lokal në Komunën e Gostivarit, thekson se sipërfaqja që planifikohet të ndërtohet ky park do të përfshijë një hapësirë prej 3200 metra katrorë.

Aty do të vendosen rekuizita nga më të ndryshmet, ndërsa vlera e përgjithshme e projektit është gjashtë milionë denarë, të cilat komuna i ka siguruar nga SDC dhe Byroja për zhvillim rajonal. “Me këtë investim parashohim që parkun e qytetit, që është një investim i madh, në bashkëfinancim të komunës, ta shndërrojmë në një park inkluziv social. Pavarësisht se sa do të zgjasin procedurat, në fund mendoj se do të kemi një park për të gjithë fëmijët, sidomos i përshtatur edhe për fëmijët me nevoja të veçanta, sepse në atë mënyrë do të ndërtohet që të jetë funksional edhe për këtë kategori të fëmijëve. Është një projekt që financohet nga SDC, Byroja për zhvillim rajonal dhe Komuna e Gostivarit”, deklaroi Osmani.

Sipas përfaqësuesve të Komunës së Gostivarit, në këtë park do të vendosen rekuizita të cilët do të mund të shfrytëzohen nga të gjithë fëmijët, por edhe rekuizita për fëmijët të cilët janë me nevoja të veçanta. Qëllimi i këtij projekti është transformimi i parkut aktual të qytetit të Gostivarit në një park atraktiv social duke qenë i dedikuar për të gjitha grupmoshat. Krahas kësaj, parashihet që të vendosen edhe ulëse, pajisje tjetër urbane, ndriçim publik dhe shporta për mbeturina. Përveç këtyre, po ashtu do të rregullohen edhe shtigjet për këmbësorë.

Nga Komuna e Gostivarit pohojnë se janë të gatshëm që të fillohet me këtë projekt. “Ne si komunë e kemi dhënë lejen e ndërtimit, është përcaktuar lokacioni dhe dokumentacioni është përgatitur tërësisht, por punët varen se kur do të hapet tenderi nga ana e Qendrës për zhvillim të barabartë të rajonit të Pollogut. Ne jemi gati që menjëherë pas përfundimit të procedurave të tenderimit, të fillojmë me realizimin e projektit”, thonë nga Komuna e Gostivarit.

Pritet që ky park të jetë në shërbim të të gjithëve, si dhe për personat me nevoja të veçanta, pasi edhe ata jenë të barabartë më pjesën tjetër të popullatës. Pjesa ku do të ndërtohet parku inkluziv social, do të jetë e rrethuar dhe e mbrojtur si dhe do të ketë vetëm një hyrje. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close