
Armin Lashet, lider i kristian-demokratëve të Gjermanisë, ka fituar mbështetjen e anëtarëve të lartë të partisë në një takim të brendshëm si kandidati konservativ për ta pasuar Angela Merkelin në zgjedhjet federale të shtatorit. Ky vendim pothuajse e zyrtarizon Lashetin si kandidat për kancelar nga radhët e bllokut konservativ, pasi që ai ishte në garë me Markus Zifoerin nga partia simotër e CDU-së në Bavari, CSU.
Me Merkelin që do të tërhiqet nga politika pas këtyre zgjedhjeve, ishte rritur presioni mbi bllokun që të arrihej marrëveshje për kandidatin e ardhshëm, pasi koalicioni qeveritar ka pësuar rënie të madhe të mbështetjes popullore në vitin e fundit për shkak të mënyrës së menaxhimit të pandemisë së koronavirusit.
Çarja në lidershipin e konservatorëve ka vënë në dyshim përpjekjet për ta vazhduar me qeverisjen e Gjermanisë pas 16 vjetësh të fitoreve në ekonominë më të madhe në Evropë. Një anketim i kryer javën e kaluar nga Forsa ka treguar mbështetje prej 27 për qind për aleancën konservative, krahasuar me mbështetjen prej 23 për qind për të Gjelbrit në opozitë. Me vendimin e brendshëm, CDU-ja është ngutur që të marrë primatin në zgjedhjen e kandidaturës për kancelar nga radhët e aleancës politike. Lashet konsiderohet politikan që do të vazhdojë politikat e Merkelit.


