LajmeMaqedoni

Ministria e Shëndetësisë vendos mbikëqyrje të përforcuar epidemiologjike në Gostivar, nën monitorim edhe ethet e Nilit Perëndimor

Ministria e Shëndetësisë ndërmerr masa konkrete për mbikëqyrje të përforcuar epidemiologjike në Gostivar dhe monitorimin e sëmundjeve të transmetuara përmes vektorëve.
Në konferencën e sotme për media, ministri i Shëndetësisë informoi për situatën aktuale epidemiologjike në Gostivar, si dhe për gjendjen me sëmundjet e transmetuara përmes vektorëve në vend.
Sot në Gostivar janë evidentuar 109 kontakte të reja të para, ndërsa gjatë katër ditëve të fundit numri i tyre ka lëvizur nga 80 deri në 125 në ditë. Sipas të dhënave nga vitet e kaluara, gjatë muajit korrik në Gostivar janë raportuar mesatarisht nga 25 persona të infektuar.
Aktualisht janë evidentuar gjithsej 869 raportime formale, ndërsa deri më tani është realizuar anketë epidemiologjike me 622 persona.
Pas konsultimit me Komisionin për Sëmundje Infektive, Ministria e Shëndetësisë mori vendim për vendosjen e mbikëqyrjes së përforcuar shëndetësore në fazën epidemiologjike postakute. Të gjitha institucioneve publike shëndetësore dhe mjekëve amë do t’u dërgohen udhëzime përkatëse për monitorim dhe informim në kohë, si dhe për identifikimin e hershëm të rasteve eventuale të hepatitit A dhe E dhe të sëmundjeve të tjera infektive që mund të shfaqen si pasojë e epidemisë.
Njëkohësisht, Ministria po kryen analizë dhe vlerësim gjithëpërfshirës të rrjedhës së epidemisë dhe të situatës së krijuar. Analiza përfshin sistemin e raportimit, si dhe të dhënat aktuale dhe retrospektive të mbledhura përmes sistemit „Termini Im“. Qëllimi është të identifikohen mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit dhe të fuqizohet funksionimi i tij në kohë dhe me efikasitet.Monitorimi i sëmundjeve të transmetuara përmes vektorëve
Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Sëmundje Infektive u shqyrtua edhe situata me sëmundjet e transmetuara përmes vektorëve. Nën monitorim të përforcuar janë katër sëmundje: malaria, denga, zika dhe ethet e Nilit Perëndimor.
Pas dy vjetësh pa asnjë rast të regjistruar me malarie, këtë vit janë konfirmuar katër raste te turistë që kanë qëndruar në Zanzibar dhe Maldive. Gjithashtu, janë regjistruar tri raste me dengë dhe një rast me zika, të gjitha të ndërlidhura me qëndrimin në Maldive. Bëhet fjalë për pacientë të rritur me komorbiditete.
Ministria u bën thirrje qytetarëve që udhëtojnë në vendet tropikale t’i respektojnë me përpikëri rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë lidhur me vaksinimin dhe profilaksinë e nevojshme. Mjekëve amë do t’u dërgohet rekomandim që gjatë kontrolleve të marrin detyrimisht parasysh të dhënat për udhëtimet e fundit në vendet tropikale, me qëllim identifikimin, diagnostikimin dhe trajtimin në kohë.
Sa u përket etheve të Nilit Perëndimor, deri më tani janë evidentuar tetë raste, prej të cilave dy gjatë muajit qershor. Bëhet fjalë për pacientë në moshë më të shtyrë me sëmundje shoqëruese. Në koordinim me Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor janë dhënë udhëzime për kontrollin e zbatimit dhe të përfshirjes së dezinsektimit nëpër komuna.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar ndaj monitorimit të vazhdueshëm të situatës, ndërmarrjes në kohë të masave konkrete dhe informimit transparent të opinionit. Në bashkëpunim me Komisionin për Sëmundje Infektive, institucionet shëndetësore, mjekët amë, shërbimet inspektuese dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale, do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë të koordinuar për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close