
Befasia e xhiros së 27-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut që u zhvillua sot është Shkupi që u mposht në kryeqytet nga vendi i fundit i renditjes tabelare, Bellasica me rezultatin 0:1. Goli që vendosi këtë takim u shënua nga Benjamin Demir në minutën e 11-të dhe rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Punët nuk kanë shkuar mirë as për Renovën e Strugën, të cilat u ndalën me barazime. Skuadra e Qatip Osmanit nuk shkoi më shumë se një barazim 1:1 ndaj Vardarit në Shkup, ndërsa me rezultat identik e mbylli edhe Struga përballë Rabotniçkit. Fitore shënoi Shkëndija në Tetovë, duke mundur Akademia Pandevin me golin e vetëm të Besart Ibraimit. Ndërkohë në ndeshjet tjera, Makedonija Gjorçe Petrovi fitoi Borecin me shifra 2:1, ndërsa Pelisteri triumfoi kundër Sileksit me rezultat 3:2.



