Adem Jashari lindi më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ai ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit, ndërsa shkollën e mesme teknike e përfundoi në Skenderaj.
Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës në vitin 1990, ideja për organizimin në aspektin ushtarak mori një dimension të ri nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), e cila në atë kohë ende nuk vepronte tërësisht publikisht. Më 3 nëntor 1991, një grup veprimtarësh udhëtuan drejt Shqipërisë për të kryer ushtrimet e nevojshme ushtarake dhe për t’u përgatitur për luftën e armatosur.
Shërbimet sekrete serbe arritën t’i bien në gjurmë formacionit të armatosur, ndërsa policia serbe ndërmori aksione për rrethimin dhe kapjen e tij. Më 30 dhjetor 1991, një ekspeditë policore-ushtarake serbe ndërmori aksion për kapjen e grupit. Pas përleshjes me forcat policore serbe, grupi i Adem Jasharit kaloi në ilegalitet, ku qëndroi deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.
Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së nisi me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacione policore. Pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, aksionet e armatosura kundër forcave policore kaluan në një fazë tjetër, atë të përballjeve të drejtpërdrejta me forcat serbe.
Në fund të nëntorit 1997, në Rezallë të Re u zhvillua një betejë me forcat e shumta të policisë serbe. Gjatë kësaj përballjeje, iu ndërpre rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, e cila po përgatitej të sulmonte fshatin Vojnik. Një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin qëlluar me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani.
Në këtë betejë, në krye ishin Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë, si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra dhe Ilaz Dërguti. Kjo konsiderohet beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së, e cila pati jehonë të madhe në opinionin publik.
Policia serbe prej kohësh kishte shënjestruar familjen Jashari dhe shtëpinë e tyre në Prekaz. Më 5 mars 1998, në orët e hershme të mëngjesit, forca të mëdha të policisë serbe mësynë Prekazin. Një pikë zjarri, e vendosur më herët në lokacionin e fabrikës së municionit, pranë shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike. Përforcime të tjera të forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit.
Sulmi ndaj familjes Jashari nisi rreth orës 06:00 të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin pothuajse të gjithë anëtarët e familjes. Sulmi dhe qëndresa e tyre zgjatën tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.


