Në emisionin „Klik Plus“ në TV21 ishte i ftuar kryetari i Qytetit të Shkupit dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski, i cili paralajmëroi intensifikimin e realizimit të disa projekteve kapitale në kryeqytet.
Ndër projektet kryesore janë përfundimi i një pjese të projektit „Limak“, ndërtimi i dy shkollave të reja, një stacion i ri zjarrfikësish, si dhe aktivitetet për rikthimin e funksionalitetit të parkut argëtues „Luna Park“.
Gjorgjievski theksoi se projekti „Limak“ është një nga ndërhyrjet më të rëndësishme infrastrukturore për Shkupin, i cili, sipas studimeve të realizuara, pritet të ulë kaosin në komunikacion për të paktën 33 për qind.
„Limak është një nga projektet më të rëndësishme kapitale në kryeqytet, i cili, sipas të gjitha studimeve të komunikacionit, do ta zvogëlojë trafikun e rënduar në kryeqytet për të paktën 33 për qind. Ky është një veprim shtetëror dhe nuk është vetëm projekt i qytetit. Synimi ynë është që në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm ta përfundojmë këtë pjesë, fazën në Kisella Vodë, ku përfshihen dy rrethrrotullime të mëdha, hyrja përmes rampës në tunel dhe pjesët e tjera. Paralelisht do të hyjmë në procesin e realizimit të fazës së fundit, në pjesën te ‘Nova Makedonija’“, deklaroi Gjorgjievski.
Si pjesë të planeve zhvillimore për Shkupin, Gjorgjievski paralajmëroi edhe ndërtimin e një stacioni të ri zjarrfikësish, si dhe hapa konkretë për realizimin e projektit të „Luna Parkut“.
„Një nga projektet kyçe është edhe stacioni i ri i zjarrfikësve, i cili do të ndërtohet në Tromeçe. Kemi siguruar mjetet financiare, ndërsa Qeveria na e ka dorëzuar tokën. Ndryshimi tashmë është regjistruar në kadastër dhe së shpejti do ta shpallim tenderin. Do të jem një kryetar që do të mbahet mend për ndërtimin e një stacioni zjarrfikësish në kryeqytet pas shumë vitesh, ndërtimin e dy shkollave, realizimin e projektit Limak dhe disa projekteve të tjera të rëndësishme kapitale. Këtu do të shtoja edhe Luna Parkun, për të cilin shumë shpejt do të fillojmë me aktivitetet konkrete“, u shpreh Gjorgjievski.
Ora24.tv


