Egjipti e futi në listën e organizatave terroriste, në Kosovë fondacioni nuk figuron në regjistra

Autoritetet egjiptiane e identifikojnë Fondacionin Kulturor për Shkencë dhe Edukim si një organizatë nga Kosova dhe e kanë përfshirë në listën e entiteteve terroriste, nën dyshimet për lidhje me Vëllazërinë Myslimane.

Por, në regjistrat e organizatave joqeveritare të Kosovës, një fondacion me këtë emër nuk figuron.

Drejtuesi i një shoqate që mediat kosovare e kanë lidhur me këtë fondacion, mohon çdo lidhje me të, ndërsa institucionet kryesore të sigurisë në Kosovë nuk kanë dhënë sqarime nëse kanë identifikuar subjektin e listuar nga Egjipti apo nëse kanë nisur ndonjë verifikim të pretendimeve.

Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike konfirmon për Radion Evropa e Lirë se Departamenti i saj për Organizata Joqeveritare nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar nga autoritetet egjiptiane për fondacionin në fjalë.

Pa përgjigje mbeten edhe kërkesat e REL-it drejtuar autoriteteve egjiptiane dhe Bashkësisë Islame të Kosovës për sqarime rreth identitetit dhe veprimtarisë së fondacionit, si dhe bazës së vendimit të Egjiptit.

Ekspertët e sigurisë thonë se mungesa e një emri në regjistrat zyrtarë nuk mjafton për ta konsideruar çështjen të sqaruar, ashtu siç një vendim i një shteti të huaj nuk mjafton për të ndërmarrë masa ndaj një organizate në Kosovë.

Sipas tyre, rasti kërkon një proces të koordinuar verifikimi, që do të adresonte si shqetësimet e mundshme të sigurisë, ashtu edhe dyshimet e ngritura ndaj një organizate që aktualisht vepron në Kosovë.

Një fondacion që nuk figuron në regjistra

Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Edukim është përfshirë nga autoritetet gjyqësore egjiptiane në një listë prej 35 entitetesh, të dyshuara për lidhje me Vëllazërinë Myslimane – një lëvizje islamiste të cilën Egjipti e konsideron organizatë terroriste.

Pas publikimit të listës, disa media në Kosovë e identifikuan fondacionin me Asociacionin për Kulturë, Edukim dhe Arsim, të njohur me shkurtesën AKEA.

Por, Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike thotë se në regjistrin e saj ekziston vetëm asociacioni dhe jo fondacioni me emrin e publikuar nga autoritetet egjiptiane.

“Një organizatë me emrin ‘Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Edukim’ nuk ka qenë ndonjëherë e regjistruar në DOJQ [Departamentin për Organizata Joqeveritare]”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, një organizatë nuk ka të drejtë ligjore të regjistrohet me të njëjtin emër dhe të njëjtën shkurtesë si një organizatë tjetër.

Ministria konfirmon se AKEA është regjistruar si asociacion më 9 dhjetor të vitit 2004, me numrin unik të regjistrimit 5110087-1.

Sipas statutit të saj, organizata ka për qëllim promovimin e vlerave kulturore dhe arsimore, humanizmit, solidaritetit, tolerancës, paqes dhe mirëkuptimit.

Nëse fondacioni i listuar nga Egjipti ka vepruar ndonjëherë në Kosovë me ndonjë emër tjetër apo nëse ka pasur lidhje me ndonjë subjekt të regjistruar në vend, mbetet e paqartë.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të mësuar nëse kanë pranuar informacione nga autoritetet egjiptiane dhe nëse kanë ndërmarrë hapa për identifikimin e fondacionit.

Asnjë prej këtyre institucioneve nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij artikulli.

AKEA mohon çdo lidhje me fondacionin

Korab Hajraj, kryetar i Asociacionit për Kulturë, Edukim dhe Arsim (AKEA), mohon se organizata që drejton ka ndonjë lidhje me fondacionin e përfshirë në listën e entiteteve terroriste në Egjipt.

Në një bisedë të shkurtër telefonike me Radion Evropa e Lirë, ai thotë se për vendimin e autoriteteve egjiptiane është informuar përmes mediave dhe se nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar.

“Ne nuk kemi asgjë. Ashtu siç e keni parë ju në media, e kemi parë edhe ne, por nuk ka diçka zyrtare dhe nuk kemi ndonjë njoftim tjetër”, thotë Hajraj.

I pyetur për ndonjë lidhje të mundshme ndërmjet dy organizatave, ai përgjigjet:

“Fondacioni dhe asociacioni nuk kanë asgjë të përbashkët. A duket emër i njëjtë?”

Hajraj i cilëson si të pabaza raportimet që e ndërlidhin AKEA-n me fondacionin e listuar nga Egjipti.

“Nuk ka kurrgjë, njerëzit shpifin dhe thonë gjithçka, por nuk ka asgjë”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë u përpoq disa herë ta kontaktonte sërish Hajrajn për sqarime të mëtejshme, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike.

REL-i nuk ka arritur të sigurojë dokumente që do të dëshmonin ndonjë lidhje organizative, financiare apo juridike ndërmjet dy subjekteve.

Dokumentacioni gjyqësor në Kosovë, megjithatë, tregon se AKEA është përballur, vite më parë, me disa vendime për pezullimin e veprimtarisë së saj, për shkak të shqetësimeve të ngritura nga organet e sigurisë.

Pesë vjet pezullime dhe beteja gjyqësore

Gati dhjetë vjet pas regjistrimit si organizatë joqeveritare, AKEA u përball me vendimin e parë për pezullimin e veprimtarisë së saj.

Më 17 shtator të vitit 2014, Ministria e atëhershme e Administratës Publike në Kosovë e pezulloi organizatën, me kërkesë të një organi të sigurisë, për shkak të dyshimeve se veprimtaria e saj binte ndesh me rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës.

Vendime të tjera për pezullim pasuan në vitet 2015, 2016 dhe 2018.

AKEA ishte një nga disa organizatat joqeveritare në Kosovë që, më 2016, u përballën me masa të tilla për arsye sigurie.

Organizata i kundërshtoi vendimet përmes ankesave administrative dhe proceseve gjyqësore.

Në nëntor të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë miratoi kërkesëpadinë e AKEA-s dhe anuloi vendimin e Komisionit të Ankesave lidhur me pezullimin e parë.

Sipas gjykatës, Komisioni nuk kishte sqaruar konkretisht dhe nuk kishte vërtetuar faktet se si veprimtaria e organizatës binte ndesh me rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës.

Pas disa procedurave gjyqësore, në qershor të vitit 2019, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për kthimin e çështjes në rishqyrtim në Ministri.

Në dokumentacionin e Gjykatës Kushtetuese, megjithatë, nuk ka të dhëna nëse ky rishqyrtim ka ndodhur.

Më 10 tetor të vitit 2019, pesë vjet pas pezullimit të parë, Ministria ia riktheu AKEA-s statusin aktiv.

Sipas sqarimeve që Ministria ia dha më vonë Gjykatës Kushtetuese, arsyeja ishte skadimi i afatit njëvjeçar të vendimit të fundit për pezullim.

Gjatë vitit 2019, AKEA iu drejtua dy herë edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se i ishin shkelur, ndër të tjera, liria e asociimit dhe e drejta për gjykim të drejtë.

Gjykata konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se të dyja kërkesat ishin shpallur të papranueshme.

Në asnjërin prej rasteve nuk u përcaktua nëse dyshimet e sigurisë ndaj organizatës ishin të bazuara.

Mbetet e paqartë edhe nëse shqetësimet që kishin çuar në pezullimin e AKEA-s ishin adresuar dhe nëse Ministria, para se t’ia rikthente organizatës statusin aktiv, kishte pasur në dispozicion ndonjë vlerësim të ri të sigurisë.

As Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, as Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për këto çështje.

Për Ramadan Ilazin, drejtor i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), rikthimi i statusit aktiv të një organizate nuk nënkupton domosdoshmërisht se janë eliminuar shqetësimet e sigurisë ndaj saj.

“Regjistrimi tregon vetëm statusin juridik të organizatës. Ai nuk dëshmon se shqetësimet e sigurisë që çuan në pezullim, janë adresuar”, thotë Ilazi për Radion Evropa e Lirë.

Pikërisht për këtë arsye, sipas tij, institucionet duhet të sqarojnë nëse riaktivizimi i AKEA-s është shoqëruar edhe me një vlerësim të ri të sigurisë.

Çfarë aktivitetesh zhvillon sot AKEA?

Sipas publikimeve në rrjetet sociale, AKEA zhvillon aktivitete kulturore, edukative dhe sportive, përfshirë ato për fëmijë dhe të rinj.

Më 22 nëntor, organizata publikoi në Facebook një ftesë për shënimin e festës së 28 Nëntorit, me një program kulturor-artistik dhe një ligjëratë historike me titullin “Përgatitja për shpalljen e pavarësisë”.

Në gusht, AKEA kishte promovuar librin“Nëpër flakët e Kosovës”, ndërsa në korrik kishte organizuar një shkollë verore për nxënës në Skenderaj.

Në një publikim për shkollën verore, të mbajtur nga data 6 deri më 25 korrik, organizata kishte falënderuar donatorët dhe Komunën e Skenderajt për mbështetjen e ofruar.

Radio Evropa e Lirë pyeti Komunën për natyrën e kësaj mbështetjeje – nëse ishte financiare, logjistike, në formën e ofrimit të hapësirave apo në ndonjë formë tjetër – por nuk mori përgjigje.

Publikime të tjera të AKEA-s pasqyrojnë organizimin e turneve sportive dhe aktiviteteve të ndryshme për fëmijë e të rinj.

Edhe në një faqe në Facebook, me emrin AKEA KIDS, publikohen materiale nga shkollat verore, aktivitetet rekreative dhe festimet e Bajramit.

Asnjë nga këto publikime nuk dëshmon, në vetvete, ndonjë veprimtari të paligjshme apo lidhje me fondacionin e listuar nga autoritetet egjiptiane.

Përtej emrit të një organizate

Mungesa e një fondacioni me emrin e publikuar nga mediat egjiptiane në regjistrat e Kosovës nuk duhet të shënojë fundin e verifikimeve, vlerëson Adrian Shtuni, ekspert i sigurisë nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit.

Ai thotë se, në raste të ndryshme, organizata që janë përballur me ndalimin e veprimtarisë së tyre, kanë përdorur ndryshimin e emrit si mënyrë për të vazhduar aktivitetet.

Për këtë arsye, sipas tij, verifikimet duhet të përfshijnë edhe identitetin e drejtuesve, burimet e financimit dhe natyrën e aktiviteteve të organizatave.

“Duhet të ketë edhe një hap verifikimi të drejtpërdrejtë, duke kontaktuar autoritetet egjiptiane, të cilat duhet të ofrojnë informacion, prova të qarta se mbi çfarë bazohet vendimi i tyre për t’i shpallur këto subjekte terroriste”, thotë Shtuni për Radion Evropa e Lirë.

Edhe vetë ai thotë se nuk njeh ndonjë organizatë në Kosovë me emrin e fondacionit të listuar nga Egjipti.

As Ilazi nuk thotë se ka informacione të verifikuara që do t’i mundësonin të përcaktonte nëse ky fondacion ekziston në Kosovë, me çfarë emri vepron apo nëse ka ndonjë lidhje juridike ose organizative me një subjekt tjetër.

Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, ai përmend nevojën për një angazhim të koordinuar të disa institucioneve.

Hapi i parë, sipas tij, duhet të ndërmerret nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila duhet t’u kërkojë zyrtarisht autoriteteve egjiptiane sqarime për bazën e vendimit dhe identitetin e saktë të subjektit të listuar.

Paralelisht, institucionet e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit duhet t’i shfrytëzojnë kanalet e tyre të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në Kosovë, ndërkaq, verifikimet duhet të nisin nga regjistri i organizatave joqeveritare.

Ilazi thotë se Departamenti për Organizata Joqeveritare duhet të shqyrtojë jo vetëm emrat e organizatave të regjistruara, por edhe të dhënat për themeluesit dhe përfaqësuesit e tyre, si dhe ndryshimet e mundshme në emër, adresë apo strukturë drejtuese.

Verifikimi i lidhjeve të mundshme financiare, sipas tij, është përgjegjësi e Njësisë së Inteligjencës Financiare, ndërsa ai i lidhjeve personale dhe organizative hyn në kompetencat e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe të Policisë së Kosovës.

Nëse gjatë këtij procesi dalin indikacione për vepra penale, çështja duhet t’i kalojë Prokurorisë.

“Rezultati varet nga koordinimi mes këtyre institucioneve”, thotë Ilazi.

Sa e ekspozuar mbetet Kosova ndaj rrjeteve ekstremiste?

Në mesin e dekadës së kaluar, Kosova u përball me sfida të konsiderueshme në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Në periudhën 2012-2015, qindra qytetarë të Kosovës udhëtuan drejt zonave të konfliktit në Siri dhe Irak, ndërsa autoritetet kosovare nisën një sërë hetimesh dhe operacionesh kundër personave të dyshuar për përfshirje në aktivitete të lidhura me terrorizmin.

Shtuni, i cili prej vitesh studion fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm në Ballkanin Perëndimor, thotë se rrënjët e problemit në Kosovë shtrihen deri në periudhën e pasluftës.

Pasojat ekonomike dhe traumat e luftës, nevoja e madhe për ndihmë humanitare dhe mungesa e kapaciteteve institucionale kanë krijuar, sipas tij, terren të favorshëm për depërtimin e disa rrjeteve të huaja me agjenda ideologjike.

Disa organizata, thotë ai, krahas ndihmës humanitare dhe financiare, kanë promovuar edhe rryma fetare ekstremiste, të cilat kanë dalluar nga tradita islame në Ballkanin Perëndimor.

Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, Shtuni vlerëson se Kosova ka përmirësuar ndjeshëm kapacitetet për t’u përballur me këtë fenomen.

“Kosova, për gjykimin tim, aktualisht është mesatarisht e ekspozuar, por dukshëm më pak krahasuar me periudhën 1999-2015”, thotë ai.

Sipas Shtunit, sot ekziston vetëdije më e madhe institucionale dhe shoqërore, si rezultat i angazhimit të vetë Kosovës dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë.

Por, kjo nuk nënkupton se rreziku është zhdukur.

Ai identifikon tri fusha që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme nga institucionet: burimet e dyshimta të financimit të organizatave, përmbajtja ideologjike e aktiviteteve të tyre dhe lidhjet e mundshme me rrjete që promovojnë ekstremizmin e dhunshëm.

Mospërputhjet ndërmjet fondeve të deklaruara dhe shpenzimeve reale, si dhe promovimi i narrativëve që justifikojnë dhunën, janë disa prej treguesve që, sipas tij, meritojnë verifikime të mëtejshme.

Shtuni thekson se rrjetet ekstremiste mund t’i shfrytëzojnë edhe mangësitë në ofrimin e shërbimeve publike, veçanërisht në edukimin dhe aktivitetet jashtëshkollore për të rinjtë.

Për këtë arsye, ai e sheh parandalimin e ekstremizmit si përgjegjësi jo vetëm të institucioneve të sigurisë, por edhe të sistemit arsimor, familjeve dhe institucioneve të tjera që punojnë me të rinjtë.

Çfarë mund të bëjë ligjërisht Kosova?

Përfshirja e një organizate në listën e entiteteve terroriste të një shteti tjetër nuk nënkupton automatikisht se ndaj saj duhet të zbatohen masa të njëjta edhe në Kosovë.

Ilazi shpjegon se vendimi egjiptian është një listim kombëtar, që nuk ka efekt të drejtpërdrejtë juridik në Kosovë.

Megjithatë, shton ai, institucionet kanë përgjegjësi ta verifikojnë rastin.

“Pa paragjykuar rastin konkret, ky zhvillim duhet marrë seriozisht, sepse Kosova mbetet e cenueshme ndaj ndikimeve të huaja keqdashëse dhe rrjeteve të tjera që mund të synojnë dobësimin e rendit kushtetues dhe të sistemit të vlerave mbi të cilin është ndërtuar shteti ynë”, thotë Ilazi.

Edhe nëse autoritetet egjiptiane do të konfirmonin ndonjë lidhje ndërmjet fondacionit të listuar dhe një organizate në Kosovë, institucionet kosovare do të duhej të vepronin mbi bazën e vlerësimeve të tyre dhe të legjislacionit vendor.

“Informacioni i një shteti tjetër mund të shërbejë si pikënisje, por nuk zëvendëson verifikimin vendor”, thotë Ilazi.

Në varësi të rezultateve të verifikimeve, sipas tij, institucionet mund të përdorin mekanizmat që parashohin legjislacioni për organizatat joqeveritare dhe ai kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Çdo masë, megjithatë, duhet të ketë bazë ligjore, të jetë proporcionale dhe të mund të kontestohet në gjykatë.

Ilazi tërheq vëmendjen edhe te fakti se në listën e publikuar nga Egjipti figurojnë organizata që veprojnë ligjërisht në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Për këtë arsye, thotë ai, verifikimi duhet të mbështetet në prova dhe jo vetëm në cilësimet e përdorura nga një shtet tjetër.

“Organizata duhet të ketë të drejtë të dëgjohet dhe të kontestojë çdo vendim”, thekson Ilazi.

Kur mungesa e përgjigjeve lë hapësirë për dyshime

Për Shtunin, transparenca institucionale për raste të tilla është pjesë e rëndësishme e adresimit të shqetësimeve të sigurisë.

Nëse institucionet kanë verifikuar se një subjekt i listuar nga një shtet tjetër nuk ekziston në Kosovë, apo se pretendimet ndaj tij nuk janë të bazuara, sipas Shtunit, këtë duhet t’ia komunikojnë publikut.

“Në momentin që ti nuk jep asnjë deklaratë ose nuk jep përgjigje, është problem, se krijon hapësirë për keqinterpretim”, thotë ai.

Edhe Ilazi vlerëson se mungesa e një procesi verifikimi mund të ketë pasoja në dy drejtime.

Në njërën anë, mund të cenojë besueshmërinë e Kosovës te partnerët ndërkombëtarë në fushën e parandalimit të financimit të terrorizmit.

Në anën tjetër, mund të dëmtojë edhe vetë organizatën mbi të cilën janë ngritur dyshime.

“Organizata mbetet nën dyshim pa pasur mundësi ta sqarojë rastin përmes një procesi institucional”, përfundon Ilazi. /REL