Shpërthime të fuqishme janë regjistruar gjatë natës së 27 nëntorit në qytetin Efremov, në rajonin Tula të Rusisë, ku dyshohet se Ukraina ka goditur një fabrikë të rëndësishme për prodhimin e materialeve që përdoren në karburantin e raketave, përfshirë ato balistike të tipit Iskander.
Sulmi dyshohet se ka përfshirë edhe termocentralin lokal, i cili furnizon me energji elektrike dhe ngrohje qytetin, si dhe disa objekte industriale, përfshirë vetë fabrikën.
Pas shpërthimeve, banorët e zonës raportuan ndërprerje të furnizimit me ngrohje.
Nga ana tjetër, guvernatori i rajonit Tula, Dmitry Milyayev, deklaroi në Telegram se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar katër dronë ukrainas mbi rajon. Ai tha se nuk kishte viktima dhe se, sipas të dhënave paraprake, nuk ishin konstatuar dëme në infrastrukturë.
Megjithatë, Milyayev pranoi se mbetjet e dronëve kishin dëmtuar dritaret e tri banesave private në zonën e Efremovit. Ai nuk bëri asnjë koment për shpërthimet e raportuara në fabrikën e gomës sintetike dhe në termocentralin lokal.


