Banorët e Bogovinës paralajmërojnë protestë për shkak të ndërprerjeve të furnizimit me ujë

Banorët e Bogovinës kanë ngritur shqetësimin për ndërprerjet e vazhdueshme të furnizimit me ujë të pijshëm, duke kërkuar nga Ndërmarrja e Ujësjellësit “Ali Munishi” dhe institucionet përgjegjëse një zgjidhje konkrete për këtë problem.

Sipas njoftimit të publikuar nga banorët, ndërprerjet e ujit po ndodhin si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë orëve të natës, duke vështirësuar jetën e përditshme të familjeve.

Banorët kërkojnë që ndërmarrja përgjegjëse të dalë me një sqarim publik dhe të informojë qytetarët lidhur me shkaqet e këtij problemi, si dhe masat që do të ndërmerren për të siguruar furnizim të rregullt me ujë.

Në njoftim bëhet e ditur se, nëse deri më 5 dhjetor nuk ka përgjigje zyrtare dhe masa konkrete, do të organizohet një protestë paqësore.

Protesta është paralajmëruar të mbahet para objektit të Ujësjellësit “Ali Munishi” në Bogovinë, pas namazit të Xhumasë.

Banorët u bëjnë thirrje qytetarëve që të bashkohen në mënyrë paqësore, me dinjitet dhe respekt, për të kërkuar një të drejtë themelore: furnizim të rregullt me ujë për çdo familje.

“Bogovina kërkon ujë! Së bashku për një zgjidhje!” është mesazhi me të cilin banorët po kërkojnë reagim nga institucionet përgjegjëse.