E marta, 8 dhjetor ditë jopune për të gjithë qytetarët

Deri në fund të vitit 2026, qytetarët do të kenë edhe një ditë tjetër jopune. Bëhet fjalë për 8 dhjetorin (e martë), kur shënohet festa shtetërore „Shën Klimenti i Ohrit“, me çka përmbyllet kalendari i festave zyrtare për këtë vit.

Ndërkohë, në vitin 2027, në bazë të Ligjit për festat, qytetarët do të kenë gjithsej dhjetë ditë jopune, ndërsa pesë prej tyre do të krijojnë mundësi për fundjava të zgjatura.

Sipas kalendarit për vitin 2027, ditët jopune për të gjithë qytetarët janë:

  • 1 janar (e premte) – Viti i Ri
  • 7 janar (e enjte) – Krishtlindjet ortodokse
  • 9 mars (e martë) – Dita e parë e Fitër Bajramit
  • 3 maj (e hënë) – Dita e dytë e Pashkëve ortodokse
  • 24 maj (e hënë) – „Shën Kirili dhe Metodi“
  • 2 gusht (e hënë) – Ilindeni
  • 8 shtator (e mërkurë) – Dita e Pavarësisë
  • 11 tetor (e hënë) – Dita e Kryengritjes Popullore
  • 23 tetor (e shtunë) – Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase
  • 8 dhjetor (e mërkurë) – „Shën Klimenti i Ohrit“

Në vitin 2027 do të ketë pesë fundjava të zgjatura. Ato do të jenë për Vitin e Ri (1–3 janar), për festat e Pashkëve, duke përfshirë të Premten e Madhe për besimtarët ortodoksë (30 prill – 3 maj), për festën „Shën Kirili dhe Metodi“ (22–24 maj), për Ilindenin (31 korrik – 2 gusht) dhe për Ditën e Kryengritjes Popullore (9–11 tetor).

Përveç këtyre datave, janë paraparë edhe ditë të veçanta jopune për pjesëtarët e bashkësive të ndryshme fetare dhe etnike. Në këtë kategori përfshihen: Buzmi, Uji i Bekuar (Vodiçi), Pashkët dhe Krishtlindjet katolike, Kurban Bajrami, Shën Sava, Dita Ndërkombëtare e Romëve, Dita e Alfabetit Shqip, Dita Kombëtare e Vllehëve, Dita Ndërkombëtare e Boshnjakëve, Jom Kipur dhe Dita e Mësimit në Gjuhën Turke.

Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet që para rezervimit të udhëtimeve të kontrollojnë edhe kalendarin zyrtar, i cili do të publikohet nga institucionet kompetente.