Grumbullimi i duhanit po zhvillohet pa probleme, deri tani janë pranuar rreth 1.300 ton

Procesi i grumbullimit të duhanit nga korrja e këtij viti po zhvillohet pa probleme dhe pa vërejtje, ndërsa që nga fillimi i fushatës më 17 nëntor, janë pranuar rreth 1.300 tonë duhan, njofton Shoqata e Bashkësive të Prodhuesve të Duhanit.

Nga gjithsej 10 kompani grumbulluese, tetë tashmë kanë nisur grumbullimin e duhanit me çmim prej 435 denarë për kilogram për klasën e parë. Dy kompanitë e mbetura, „Sokotab“ dhe „Pashoski“, pritet t’i hapin pikat deri në fund të këtij muaji.

Nga 324 pika grumbulluese në vend, aktualisht janë hapur 120, ndërsa në klasën e parë nuk ka ankesa për vlerësimin e duhanit. Zbritje prej 3 për qind aplikohen vetëm për duhanin nga vjeljet e poshtme.

Prodhimi i sivjetmë vlerësohet në rreth 26.000 tonë.

Në një takim me Ministrinë e Bujqësisë është dakorduar që subvencionet të paguhen sipas sasisë së duhanit të dorëzuar dhe jo asaj të kontraktuar. Ministria ka paralajmëruar edhe rritjen e subvencionit nga 80 në 90 denarë për kilogram, por ende nuk është konfirmuar nëse kjo do të zbatohet për këtë vit.