Latifi: MEPSO avancon projektin për linjën e dytë energjetike me Kosovën, parashihen investime në Tetovë dhe Osllomej

Kompania shtetërore për transmetimin e energjisë elektrike MEPSO po avancon përgatitjet për realizimin e ndërlidhjes së dytë energjetike mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Projekti parasheh ndërtimin e linjave të reja të transmetimit me kapacitet 400 kV, si dhe dy nënstacioneve të reja në Tetovë dhe Osllomej, shkruan Top24

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Burim Latifi, gjatë një konference të organizuar nga AMCHAM – Dhoma Amerikane e Tregtisë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Latifit, tashmë ka përfunduar studimi i parafizibilitetit, i mbështetur nga Banka Botërore, ndërsa është siguruar edhe grant nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me mbështetjen e bankës gjermane KfW, për përgatitjen e dokumentacionit teknik.

Ai bëri të ditur se Termat e Referencës janë përgatitur dhe miratuar nga Komisioni Evropian, ndërsa studimi i fizibilitetit dhe Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis dhe Aspektet Sociale (ESIA) pritet të përfundojnë brenda një viti.

Projekti përbëhet nga dy komponentë kryesorë. I pari parasheh ndërtimin e linjës 400 kV që do të lidhë Tetovën me Prizrenin, si dhe linjën tjetër që përmes Shkupit, Osllomesë dhe Ohrid do të forcojë rrjetin e transmetimit. Komponenti i dytë përfshin ndërtimin e dy nënstacioneve të reja 400 kV në Tetovë dhe Osllomej.

Realizimi i këtij investimi pritet të ketë rëndësi të veçantë për forcimin e infrastrukturës energjetike, rritjen e kapaciteteve të transmetimit dhe përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

Ndërlidhja e re energjetike me Kosovën synon gjithashtu të rrisë integrimin e sistemeve elektroenergjetike dhe të kontribuojë në stabilitetin e tregut të energjisë në rajon.