Tetovari Mirsad Esati, pronari i “Plisit” në Zvicër, nderohet me çmimin “Ambasador i Imazhit Shqiptar në Botë” (Video)

Sipërmarrësi shqiptar Mirsad Esati, pronar i restorantit “Plisi” në Zyrih të Zvicrës, është nderuar me çmimin “Ambasador i Imazhit Shqiptar në Botë”, në kategorinë “Imazhi Shqiptar në Biznes”, për kontributin e tij në zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare, promovimin e gastronomisë tradicionale dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë, shkruan Nistori.

Mirënjohja iu dha më 22 nëntor, në Cyrih të Zvicrës, nga “Imazhi Shqiptar”, duke vlerësuar angazhimin e Esatit jo vetëm në fushën e biznesit, por edhe në mbështetjen e veprimtarive komunitare, sportive dhe humanitare.

Në motivacionin e certifikatës theksohet kontributi i tij në zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare në mërgatë, si dhe roli i restorantit “Plisi” në promovimin e gastronomisë dhe identitetit kombëtar shqiptar në Zvicër.

“Për kontributin e çmuar në zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare në mërgatë, promovimin e gastronomisë dhe identitetit kombëtar përmes restorantit PLISI në Zvicër, si dhe për mbështetjen e veprimtarive komunitare, sportive e humanitare, duke përfaqësuar me dinjitet imazhin dhe vlerat shqiptare në diasporë”, thuhet në motivacionin e mirënjohjes.

Përmes veprimtarisë së tij në gastronomi, Esati është vlerësuar si një ndër sipërmarrësit që kontribuojnë në prezantimin e kulturës dhe traditave shqiptare përtej kufijve të vendlindjes.

Çmimi vë në pah edhe dimensionin shoqëror të sipërmarrjes së tij, duke njohur mbështetjen që ai u ka dhënë aktiviteteve me karakter komunitar, sportiv dhe humanitar.

Ky vlerësim rikthen në vëmendje rolin e sipërmarrësve shqiptarë në mërgatë, të cilët, krahas zhvillimit të bizneseve të tyre, kontribuojnë edhe në ruajtjen e identitetit kulturor dhe në forcimin e lidhjeve të komunitetit shqiptar jashtë vendit.

KUSH ËSHTË MIRSAD ESATI?
Sipërmarrës në gastronomi | Pronar i restorantit PLISI, Zvicër

PROFILI BIOGRAFIK

Mirsad Esati, 46 vjeç, është sipërmarrës shqiptar me prejardhje nga fshati Kallnik i Tetovës. Prej vitit 1995 jeton në Zvicër, ku ka ndërtuar një rrugëtim të gjatë profesional në gastronomi. Aktualisht banon në Dietlikon, në kantonin e Cyrihut, dhe drejton restorantin PLISI në Dübendorf.

ARSIMIMI DHE PËRVOJA PROFESIONALE

Arsimin fillor e kreu në Tetovë, deri në vitin 1994. Në vitin 1995 emigroi familjarisht në Zvicër, ndërsa më 1999 përfundoi përgatitjen profesionale në zanatin e kuzhinierit. Në vitin 2000 nisi punën në qendrën e kuzhinës së Migrosit në Cyrih, ku qëndroi deri në gusht 2019. Kjo përvojë rreth 19-vjeçare i shërbeu si bazë profesionale për të nisur, në shtator 2019, rrugëtimin si sipërmarrës në restorantin PLISI.

RESTORANTI PLISI DHE IDENTITETI KULTUROR

Restoranti PLISI, në Wallisellenstrasse 7A, 8600 Dübendorf, dallohet për mikpritjen, pastërtinë, cilësinë e shërbimit dhe çmimet e arsyeshme. Përmes enterierit dhe motiveve shqiptare të përdorura në dekor, ai krijon një atmosferë që pasqyron trashëgiminë kulturore shqiptare. Krahas promovimit të kuzhinës tradicionale shqiptare, restoranti shërben edhe si vendtakim për bashkatdhetarët në Zvicër.

KONTRIBUTI NË KOMUNITET

Përtej gastronomisë, Esati ka mbështetur shoqata dhe nisma komunitare, veprimtari sportive dhe sportistë të rinj. Ai ka ndihmuar gjithashtu familje në gjendje të vështirë ekonomike. Këto angazhime pasqyrojnë rëndësinë që i kushton solidaritetit, lidhjeve me bashkatdhetarët dhe mbështetjes së ndërsjellë.