BDI në Kumanovë ngre shqetësime për sigurinë e shqiptarëve në prag të 28 Nëntorit (VIDEO)

Pak ditë para shënimit të 28 Nëntorit, Dega e BDI-së në Kumanovë ka dalë me një konferencë për media, përmes së cilës ka kërkuar përgjegjësi institucionale lidhur me zhvillimet e fundit në qytet, që sipas kësaj partie mund të cenojnë marrëdhëniet ndëretnike, raporton tvfesta.mk.

Para mediave, zëdhënësi i BDI-së, Blerim Hyseni, ka adresuar kritika ndaj institucioneve të drejtësisë për dënimin e një të riu shqiptar, rast të cilin kjo parti e ndërlidh me festimet e Ditës së Flamurit gjatë vitit të kaluar.

Hyseni ka kërkuar sqarime për rrethanat e këtij vendimi, duke shprehur dyshime edhe për kohën kur është marrë.

Në fokus të konferencës ka qenë gjithashtu paraqitja e një grupi personash me maska dhe shkopinj në Kumanovë. Për këtë rast, BDI-ja kërkon që organet kompetente të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas Hysenit, institucionet duhet të dëshmojnë se ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ndërsa qytetarëve duhet t’u garantohet e drejta për të festuar pa shqetësime dhe në kushte të sigurta.

“28 Nëntori nuk është provokim. Është festë kombëtare, është histori, është krenari dhe është e drejtë e çdo shqiptari ta festojë lirshëm dhe me dinjitet”, ka deklaruar Hyseni.

Nga BDI-Kumanovë kanë apeluar për ruajtjen e bashkëjetesës dhe shmangien e çdo veprimi që mund të nxisë tensione ndëretnike.

Mesazhi përfundimtar i kësaj partie ishte se zhvillimet e fundit nuk duhet të bëhen pengesë për vazhdimin e traditës së festimit të 28 Nëntorit nga shqiptarët e Kumanovës. /tvfesta