Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka përfunduar ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, e cila po zhvillohet për arsye humanitare, për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Krasniqi pritet të qëndrojë në Kosovë edhe për dy ditë të tjera, duke e çuar në katër ditë kohëzgjatjen e kësaj vizite, të mundësuar me vendim të trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Edhe gjatë së enjtes, atij nuk i është mundësuar takimi me vëllezërit e tij.
Vizita e Krasniqit në Kosovë ka nxitur reagime edhe nga krerët e institucioneve të vendit, të cilët gjatë së enjtes kanë shprehur solidaritet me të dhe familjen e tij, duke e cilësuar situatën si tejet të dhimbshme.
Kryeministri Albin Kurti e ka konsideruar gjendjen në familjen Krasniqi si “jashtëzakonisht të dhimbshme”, duke thënë se në këto momente të vështira të gjithë bashkëndjejnë me vuajtjen dhe dhimbjen e familjes.
“Është jashtëzakonisht e dhimbshme situata e rëndë në familjen e ish-kryekuvendarit, Jakup Krasniqi dhe në këto momente të vështira natyrisht që të gjithë bashkëndjejmë me vuajtjen edhe dhimbjen dhe urojmë që gjithçka të shkojë sa më mirë që është e mundur”, ka deklaruar Kurti.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka shprehur dhimbje dhe solidaritet me Krasniqin dhe familjen e tij.
Ajo ka rikujtuar kontributin e tij gjatë luftës dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, duke e cilësuar si zërin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës dhe si një nga figurat që udhëhoqi seancat historike të shpalljes së Pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës.
Ndërkaq, anëtari i Aleancës, Daut Haradinaj, u ka bërë thirrje publike krerëve të shtetit që ta vizitojnë Krasniqin në shtëpinë e tij.
“Shpresoj që po ashtu, në këtë ditë kur do të votohet edhe projektligji i rikthyer nga presidentja, që vetë presidentja, kryeministri, ministrja e Drejtësisë dhe kryeparlamentarja të shkojnë dhe ta vizitojnë bacën Jakup në familje. Është obligim moral vetëm t’i jepet përkrahje morale. E dimë që mbrojtje juridike nuk ka kjo vizitë”, ka deklaruar Haradinaj
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Krasniqi po ruhet nga zyrtarë të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës, të cilët janë përgjegjës për sigurinë e tij.
Kjo është hera e dytë që Krasniqi viziton Kosovën që nga transferimi i tij në Hagë, në nëntor të vitit 2020. Vizita e tij e mëparshme ishte realizuar në tetor të vitit 2024.
Ish-kryeparlamentari ishte arrestuar më 4 nëntor të 2020-ës dhe ishte transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku po mbahej në kuadër të procesit gjyqësor së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.
Më 16 shtator të këtij viti, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara i shpalli fajtorë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim.
Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim, aq sa edhe ish-presidenti Hashim Thaçi. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Në dënimet e tyre është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.
Procesi gjyqësor ndaj tyre kishte nisur më 3 prill të 2023-ës, ndërsa vendimi i shkallës së parë është kundërshtuar nga mbrojtja.


