Gjermania përgjysmon kuotën për punëtorët nga Ballkani Perëndimor, preket edhe Maqedonia

Gjermania planifikon të përgjysmojë kuotën vjetore për pranimin e punëtorëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Nga 50.000 sa është aktualisht, numri i lejeve të para të punësimit pritet të ulet në 25.000 në vit.  Qeveria gjermane më 4 nëntor miratoi një propozim që parasheh përgjysmimin e numrit të punëtorëve që mund të marrin miratimin fillestar për punësim përmes rregullores së posaçme për Ballkanin Perëndimor.

Rregullat e reja pritet të zbatohen nga 1 janari 2027, por për hyrjen e tyre në fuqi nevojitet edhe miratimi i Bundesratit, dhoma përfaqësuese e landeve gjermane, e cila do ta shqyrtojë propozimin më 18 dhjetor.

Masa përfshin qytetarët e gjashtë vendeve: Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës.

Rregullorja e posaçme, e vendosur në vitin 2016, u mundëson qytetarëve të këtyre vendeve të punësohen në Gjermani me kushte të lehtësuara, edhe pa pasur kualifikime profesionale të njohura zyrtarisht.