Pagesa e regresit për pushim vjetor, i njohur si K-15, tashmë ka filluar te një numër i madh i punëdhënësve, ndërsa disa nga punonjësit tashmë i kanë marrë mjetet në llogaritë e tyre bankare. Këtë vit, shuma minimale e K-15 në sektorin privat është rritur dhe tejkalon 19.000 denarë, si rezultat i rritjes së pagës mesatare neto në vend.
Shuma e regresit nuk është fikse gjatë gjithë vitit, pasi përllogaritja e saj bëhet në bazë të pagës mesatare neto. Me rritjen e të ardhurave mesatare, ndryshon edhe shuma minimale që punëdhënësit duhet t’ua paguajnë punonjësve.
Në sektorin privat, në përputhje me marrëveshjen kolektive, regresi për pushim vjetor duhet të jetë së paku 40 për qind e bazës përllogaritëse. Të drejtën për këtë pagesë e kanë punonjësit që kanë punuar të paktën gjashtë muaj gjatë vitit kalendarik te i njëjti punëdhënës.
Kjo është shuma minimale që kompanitë janë të obliguara ta paguajnë nëse punonjësit i plotësojnë kushtet për realizimin e kësaj të drejte. Ndërkaq, punëdhënësit që kanë rezultate më të mira financiare dhe mundësi më të mëdha mund të paguajnë edhe shuma më të larta se minimumi i përcaktuar.
Praktika e viteve të kaluara tregon se një pjesë e kompanive nuk kufizohen vetëm te shuma minimale, por punonjësve të tyre u ndajnë regres dukshëm më të lartë. Në disa kompani, K-15 mund të jetë shumë më i lartë se minimumi i përcaktuar.
Përllogaritja është ndryshe për të punësuarit në sektorin publik. Për vitin 2026, regresi për pushim vjetor është mbi 13.000 denarë, përkatësisht 30 për qind e pagës mesatare neto të paguar gjatë vitit paraprak.
Pagesat e K-15 do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, ndërsa punonjësit që ende nuk e kanë marrë regresin mund të presin që mjetet t’u transferohen në muajt e ardhshëm, varësisht nga punëdhënësi dhe rregullat përkatëse.
Për shumë punonjës, këto mjete shtesë paraqesin një ndihmë të rëndësishme për buxhetin familjar, veçanërisht në kushtet kur vazhdojnë të rriten shpenzimet për ushqim, fatura dhe nevoja të tjera të përditshme.


