Është e papranueshme që një komunë si Haraçina, e cila ndodhet vetëm 10 kilometra larg kryeqytetit Shkup, të vazhdojë të trajtohet sikur të jetë jashtë hartës së këtij shteti!
Mbi 20 mijë banorë, njerëz që punojnë, sakrifikojnë, paguajnë taksa dhe kontribuojnë në këtë shoqëri, vazhdojnë të jetojnë me probleme që në një shoqëri normale do të duhej të ishin zgjidhur prej shumë vitesh.
Ku janë institucionet shtetërore? Ku janë investimet? Ku është përgjegjësia ndaj këtyre qytetarëve?
Nuk kemi përkujdesje të rregullt shëndetësore 24 orë, shtatë ditë në javë. Edhe të shtunave dhe të dielave qytetarët përballen me mungesë të shërbimeve të nevojshme.
Shumë vendbanime vazhdojnë të përballen me mungesë të kanalizimit dhe probleme me furnizimin me ujë të pijshëm.
Infrastruktura rrugore në shumë pjesë mbetet larg standardeve elementare.
Nuk kemi një qendër sportive dinjitoze, pallat kulture apo bibliotekë, ku të rinjtë, studentët dhe fëmijët tanë të kenë hapësirë për zhvillim, kulturë, sport dhe aktivitete shoqërore.
Por padrejtësitë nuk përfundojnë këtu!
Po bujqit tanë, të cilët punojnë tokën, prodhojnë dhe mbajnë familjet e tyre, por vazhdojnë të punojnë pothuajse pa asnjë mbështetje serioze nga institucionet? Ku janë subvencionet e drejta, infrastruktura bujqësore dhe përkrahja për prodhuesit tanë?
Po taksistët tanë, të cilët çdo ditë përballen me vështirësi, pa pasur as një stacion apo hapësirë të rregulluar ku mund të presin klientët e tyre? Janë të detyruar të qëndrojnë të parkuar në trotuare, pa kushte elementare për ushtrimin e veprimtarisë së tyre.
Po familjet me nevoja të veçanta dhe rastet sociale? Në këtë komunë ka shumë familje që përballen me vështirësi të mëdha ekonomike dhe që kanë nevojë për përkrahjen e shtetit. Është veçanërisht e dhimbshme kur familje të tilla rrezikojnë të humbin të drejtën e ndihmës sociale për shkak se ndonjë familjar u ka dërguar herë pas here një shumë të vogël parash për t’i ndihmuar të mbijetojnë. A mund të quhet kjo drejtësi sociale? A duhet të ndëshkohet një familje në nevojë pse dikush i ka zgjatur dorën në momentet më të vështira?
Dhe pastaj flasim për zhvillim, për perspektivë evropiane dhe për kushte moderne jetese!
Çfarë perspektive po u ofrojmë të rinjve tanë, kur nuk kemi as hapësira elementare për ta? Ku të takohen studentët tanë? Ku të zhvillojnë talentin fëmijët tanë? Ku të ndërtojnë ëndrrat e tyre?
Haraçina është anashkaluar për vite me radhë nga pothuajse të gjitha institucionet shtetërore. Është lënë në harresë, pavarësisht nevojave të mëdha dhe të drejtave të qytetarëve të saj
Ndërsa një nga investimet që qytetarët e kësaj ane e përjetojnë vazhdimisht është ndërrimi i njehsorëve elektrikë, i shoqëruar me pakënaqësi të mëdha për faturat paushalle dhe faturimet që qytetarët i konsiderojnë të pasakta. Është paradoksale që për investime të tjera nuk gjenden mjete, por për t’ua rënduar edhe më shumë barrën financiare qytetarëve gjithmonë gjendet zgjidhje!
Haraçina nuk është komunë e dorës së dytë! Banorët e saj nuk janë qytetarë të dorës së dytë!
Ne nuk kërkojmë favore, nuk kërkojmë privilegje dhe nuk kërkojmë asgjë më shumë se atë që u takon të gjithë qytetarëve të këtij shteti: shëndetësi, infrastrukturë, ujë të pijshëm, kanalizim, arsim, kulturë, sport, mbështetje për bujqit, kushte për bizneset dhe mbrojtje sociale për familjet në nevojë.
Është koha që institucionet të ndalojnë së na kujtuari vetëm kur kanë nevojë për votën tonë dhe të fillojnë të na trajtojnë si qytetarë me të drejta të barabarta.
Nuk mund të kërkojmë nga të rinjtë tanë të qëndrojnë në vendlindje, nëse nuk u ofrojmë as kushtet më elementare për të jetuar. Nuk mund të kërkojmë zhvillim ekonomik, nëse i lëmë të vetëm ata që punojnë. Dhe nuk mund të flasim për drejtësi sociale, nëse ua mbyllim derën atyre që kanë më së shumti nevojë për ndihmë.
Haraçina meriton zhvillim, jo premtime! Meriton investime, jo harresë! Meriton dinjitet, jo neglizhencë!
Zëri i këtij populli nuk duhet të heshtë më. Sepse heshtja përballë kësaj padrejtësie do të thotë pajtim me të!
Haraçina nuk kërkon mëshirë nga askush. Haraçina kërkon drejtësi!


