Ali Ahmeti: E ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut kërkon dialog dhe marrëveshje të përbashkët

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë sonte në Shkup në panelin e diskutimit të organizuar nga Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”, pranë BDI-së, me temën “Marrëveshja Kombëtare për Përparim – Maqedonia e Veriut, shteti, shoqëria dhe e ardhmja evropiane”, shkruan Top24

Gjatë këtij paneli u diskutua për sfidat politike dhe shoqërore të vendit, rëndësinë e marrëdhënieve ndëretnike, funksionimin demokratik të institucioneve, barazinë dhe perspektivën e integrimit evropian.

Në fokus të diskutimit ishte nevoja për një marrëveshje të përbashkët për çështjet strategjike që përcaktojnë të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, duke tejkaluar dallimet partiake dhe interesat afatshkurtra politike.

Përmes një mesazhi të publikuar pas pjesëmarrjes në këtë aktivitet, u theksua se e ardhmja e vendit kërkon dialog, përgjegjësi dhe vullnet politik për ndërtimin e urave të bashkëpunimit.

“Besoj se përparimi kërkon vullnet politik, mirëkuptim dhe gatishmëri për të ndërtuar ura bashkëpunimi, duke vendosur interesin e përbashkët mbi dallimet politike”, thuhet në mesazhin e publikuar pas panelit.

Paneli synoi të hapë diskutimin mbi nevojën për një konsensus më të gjerë politik dhe shoqëror, me qëllim avancimin e proceseve demokratike, forcimin e barazisë dhe përshpejtimin e rrugës evropiane të vendit.Top24

Sonte, në Shkup, mora pjesë në panelin e diskutimit të organizuar nga Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”, pranë BDI-së, me temën “Marrëveshja Kombëtare për Përparim – Maqedonia e Veriut, shteti, shoqëria dhe e ardhmja evropiane”.
E ardhmja e vendit kërkon dialog, përgjegjësi dhe një marrëveshje të përbashkët për çështjet që përcaktojnë zhvillimin e tij. Marrëdhëniet ndëretnike, funksionimi demokratik i institucioneve, barazia dhe integrimi evropian nuk janë çështje të një partie apo të një mandati, por interesa afatgjata të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve.
Besoj se përparimi kërkon vullnet politik, mirëkuptim dhe gatishmëri për të ndërtuar ura bashkëpunimi, duke vendosur interesin e përbashkët mbi dallimet politike.