Sundimi funksional i së drejtës, zbatimi konsikuent i ligjeve dhe përzgjedhja e kuadrove udhëheqëse në bazë të arsimit, përvojës së punës dhe kualifikimeve janë parakushte kyçe për zhvillimin ekonomik dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucione, vlerësoi sot eurodeputeti dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Tomas Vajc, në video-fjalim në debatin tematik në Parlament, kushtuar raporteve të Komisionit Evropian për sundimin e ligjit dhe mbikëqyrjen parlamentare. Ai theksoi edhe se Maqedonia duhet të jetë udhëheqëse në negociatat për anëtarësim në BE, nëse tejkalohen të gjitha bllokadat nga Bullgaria fqinje, duke theksuar se këtu duhet të investohet përpjekje e madhe.
“Shpresoj që Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat, duke marrë parasysh të gjitha reformat që janë zbatuar në vendin tuaj. Ju duhej të jeni lider në negociatat për anëtarësim në BE nëse tejkalohen të gjitha bllokadat nga Bullgaria fqinje. Dhe këtu duhet të investojmë shumë përpjekje”, tha eurodeputeti.
Ai, në fjalimin në debatin e sotëm tematik mbi raportet e Komisionit Evropian mbi sundimin e ligjit, theksoi se korrupsioni është pengesë dhe ngecje që nuk i sjell dobi askujt dhe se nevojitet të tejkalohen gjendjet që e pengojnë progresin.
Vajc theksoi se sundimi i ligjit nuk duhet të konsiderohet vetëm në kontekstin e afrimit ndaj Bashkimit Evropian, por para së gjithash si kusht për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e perspektivave më të mira për qytetarët.
“E dimë se korrupsioni është ngecje, pengesë, nuk i ndihmon askujt dhe duhet të përpiqemi ta tejkalojmë atë. Por, jashtë çështjes për përfaqësim ndaj Bashkimit Evropian, për zhvillimin ekonomik të vendit është me rëndësi nëse sundimi i ligjit është funksional apo jo. Nëse ju si sipërmarrës, nëse vini nga jashtë, si investitor, mund të mbështeteni në sundimin e ligjit në vendin tuaj? Jo vetëm nëse shteti ka ligje në letër, por edhe nëse ato zbatohen. Ky është çelësi i zhvillimit ekonomik dhe diçka që duhet t’ua ofrojmë qytetarëve tanë, para së gjithash si punë më të rëndësishme”, tha Vajc.
Ai theksoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme për një vend që përballet me një largim të të rinjve, sepse mbajtja e të rinjve dhe krijimi i mundësive për të ardhmen e tyre kërkon investime cilësore dhe zhvillim të mirë ekonomik.
Si një çështje tjetër kyçe për sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve, Vajc theksoi mënyrën e shpërndarjes së vendeve të punës dhe nevojën për të zgjedhur kuadro profesionale dhe të kualifikuar, në vend të paragjykimeve partiake.
Ai bëri një krahasim me shoqëritë në Austri, Zvicër dhe Suedi, duke theksuar se, megjithëse këto janë vende me një sundim të ligjit shumë të zhvilluar, sfidat e ndikimeve politike në shpërndarjen e vendeve të punës janë të pranishme edhe në vende të tjera.
Sipas tij, është e kuptueshme që çdo qeveri e re duhet të ketë njerëz të besuar, respektivisht njerëz besnikë nga struktura politike, në kabinetin e saj. Megjithatë, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e ministrave, drejtorëve të sektorëve dhe departamenteve, si dhe menaxherëve, kriteret kryesore duhet të jenë përvoja e punës, arsimi dhe kualifikimet e kandidatëve.
“Është e kuptueshme që çdo qeveri e re duhet të ketë njerëz tek të cilët do të ketë besim, njerëz besnikë për kabinetin që vijnë nga struktura politike. Por, kur bëhet fjalë për përbërjen e ministrave të zgjedhur ose drejtorëve të sektorëve, departamenteve, menaxherëve, atëherë para së gjithash, si faktor kyç për atë punë, fokusi duhet të jetë te përvoja e punës dhe arsimi, respektivisht kualifikimet”, tha Vajc.
Ai theksoi se është kyçe që institucionet të kenë kapacitetin, autoritetin dhe burimet e mjaftueshme për të zbatuar ligjet, por edhe të jenë të lira nga ndikimi politik. Ai theksoi se, përveç reformave ligjore, nevojitet edhe personel i trajnuar, burime financiare dhe mekanizma të pavarur për kontroll dhe llogaridhënie. Si tregues i rëndësishëm i funksionimit të demokracisë, ai theksoi besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe barazinë e të gjithëve para ligjit, pavarësisht nga statusi i tyre shoqëror ose material.
Ndryshe, deputeti austriak dhe raportuesi i përhershëm i PE-së për vendin, Thomas Waitz, në Shkup në muajin shtator theksoi se progresi i Maqedonisë është i nevojshëm që vendi të zhvillohet në një shoqëri moderne, demokratike dhe mirë të organizuar, pavarësisht nëse dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian një ditë apo jo.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.


