Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka tërhequr një seri të qumështit VITA, pasi që analizat laboratorike të kryera në Austri dhe Kosovë kanë konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 mbi nivelin maksimal të lejuar në një seri të qumështit VITA UHT 3.2% yndyrë, të prodhuar nga kompania ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA).
Seria e qumështit e përfshirë në tërheqje:
Produkti: VITA – Qumësht UHT 3.2% yndyrë
Prodhuesi: ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA)
Paketimi: 1 litër
Data e prodhimit: 18.07.2026
Afati i përdorimit: 18.01.2027
AUV u bën thirrje qytetarëve që të mos konsumojnë këtë seri të qumështit VITA UHT 3.2% dhe ta kthejnë produktin në pikën e shitjes ku e kanë blerë.
Sipas AUV, në këtë fazë, masa e tërheqjes nga tregu zbatohet vetëm për serinë e identifikuar më sipër.
“Seritë dhe produktet e tjera të të njëjtit prodhues nuk janë objekt i kësaj mase, ndërsa verifikimet e mëtejshme janë në vazhdim. AUV do të informojë publikun dhe do të ndërmarrë masa shtesë nëse rezultatet e kontrolleve dhe vlerësimi i rrezikut e kërkojnë këtë. Konfirmimi më i fundit është bërë nga Instituti për Sigurinë e Ushqimit në Linz, në kuadër të Agjencisë Austriake për Shëndetësi dhe Siguri Ushqimore (AGES). Raporti ka konstatuar përqendrim të aflatoksinës M1 prej 0.065 µg/kg, kundrejt nivelit maksimal të lejuar prej 0.050 µg/kg. Ky rezultat është në përputhje me analizat e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë (LUV) në Kosovë, i cili kishte konstatuar tejkalim të nivelit të lejuar të aflatoksinës M1 në tri mostra të qumështit VITA 3.2%“, thuhet në njoftimin e AUV-it
Tutje, AUV thotë se sipas nenit 16, paragrafit 1.2, të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, ushqimi që përmban mikotoksina mbi kufirin e lejuar konsiderohet i pasigurt për konsum.
“Rregullorja (QRK) Nr. 43/2013, Shtojca I, Seksioni 2, pika 2.1.13, përcakton nivelin maksimal të lejuar të aflatoksinës M1 në qumësht prej 0.050 µg/kg. Ndërsa, sipas nenit 15, paragrafit 6, të Ligjit për Ushqim, kur konstatohet ushqim i pasigurt në një seri prodhimi, e gjithë seria konsiderohet e pasigurt, përveç nëse një vlerësim i detajuar vërteton të kundërtën. Bazuar në këto dispozita ligjore dhe rezultatet laboratorike, AUV ka urdhëruar bllokimin dhe tërheqjen nga tregu të serisë së identifikuar. Operatori është i detyruar të ndalojë shitjen dhe shpërndarjen, të sigurojë tërheqjen e produktit nga pikat e shitjes dhe të dokumentojë sasitë e tërhequra, në përputhje me nenet 22 dhe 23 të Ligjit për Ushqim“, thekson në njoftimin e AUV-it.
Sipas AUV-it, ky rast vjen pas konstatimeve të mëparshme laboratorike në Maqedoninë e Veriut, ku dy analiza të produktit LAND Milk UHT 3.2%, të prodhuar nga i njëjti operator, ABRAZEN SH.P.K., kishin evidentuar përqendrime të aflatoksinës M1 prej 0.100 dhe 0.139 ± 0.022 µg/kg, mbi nivelin maksimal të lejuar prej 0.050 µg/kg.
“Këto rezultate tregojnë tejkalime të përsëritura të nivelit të lejuar në produkte të të njëjtit prodhues. AUV do të verifikojë zbatimin e plotë të masës së tërheqjes dhe do të zgjerojë kontrollet në seri të tjera të prodhimit, duke përfshirë qumështin e papërpunuar, gjurmueshmërinë e furnizimit, sistemin e vetëkontrollit të operatorit dhe ushqimin e kafshëve, me qëllim identifikimin e burimit të mundshëm të kontaminimit. Masat e mëtejshme administrative dhe ligjore ndaj operatorit do të përcaktohen pas përfundimit të verifikimeve të serive të tjera të prodhimit, bazuar në rezultatet laboratorike, konstatimet inspektuese dhe legjislacionin në fuqi. Aflatoksina M1 është një substancë toksike që mund të kalojë në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar të kafshëve. Ekspozimi afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Gjatë periudhës gusht–nëntor 2026, AUV ka realizuar kontrolle të gjera inspektuese dhe analiza laboratorike të qumështit të prodhuar në Kosovë dhe të qumështit të importuar“, thuhet në njoftim, sipas të cilit rezultatet tregojnë se, me përjashtim të rasteve dhe serive të identifikuara, mostrat e tjera të analizuara kanë qenë brenda nivelit maksimal të lejuar të aflatoksinës M1.
“Për rastet ku janë konstatuar tejkalime, AUV ka ndërmarrë masat përkatëse për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. AUV do të vazhdojë rregullisht kontrollet inspektuese dhe analizat laboratorike në të gjithë zinxhirin ushqimor, duke përfshirë ushqimin e kafshëve, fermat, grumbullimin dhe përpunimin e qumështit, importin, shpërndarjen dhe shitjen në treg. Në bazë të rezultateve të kontrolleve, AUV do të ndërmarrë masat përkatëse administrative dhe ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Publiku do të informohet në mënyrë të vazhdueshme dhe transparente për rezultatet e kontrolleve, shkeljet e konstatuara dhe masat e ndërmarra, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve“, përfundon njoftimi.


