“Kushdo që fyen, poshtëron, abuzon fizikisht ose mendërisht ose shqetëson në ndonjë mënyrë tjetër një person tjetër në punë ose në lidhje me punën, dhe në këtë mënyrë dëmton shëndetin e tij, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit, përveç nëse plotësohen elementët e një krimi tjetër më të rëndë.”
Projekt-Kodi i ri Penal parasheh futjen e veprës së re penale të “ngacmimit në punë”, për të cilën parashikohet gjobë ose burgim deri në një vit për personat që fyejnë, poshtërojnë, abuzojnë fizikisht apo psikologjikisht kolegët dhe u dëmtojnë shëndetin.
Kjo është njëra nga 40 veprat e reja penale që propozohet të përfshihen në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut. Projektligji, i publikuar më 13 nëntor në platformën ENER, ende duhet të kalojë disa procedura, ndërsa zbatimi i tij në praktikë mund të marrë të paktën dy vjet.


