Kryediplomatja e BE paralajmëron për ‘kurthe ruse’ në përpjekjet për paqe në Ukrainë

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka hedhur poshtë kritikat ruse se Evropa po pengon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke këmbëngulur se një armëpushim është një parakusht për bisedime.

Çdo diskutim rreth arkitekturës evropiane të sigurisë do të largonte vëmendjen nga nevoja për një armëpushim për të vërtetuar nëse Rusia dëshiron paqe në Ukrainë, tha Kallas të premten, ndërsa mbërriti në një samit të BE-së në Dublin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e kishte kritikuar atë që e përshkroi si mungesë gatishmërie të Evropës për të diskutuar një sistem sigurie të ardhshëm në kontinent, duke thënë se vendet evropiane as nuk kishin emëruar një negociator.

“Nëse fillojmë të flasim për atë që kërkon Rusia në lidhje me arkitekturën e sigurisë, në fakt biem në kurthet që po na ngre Rusia”, tha Kallas.

“Le të përqendrohemi tek ajo që kemi në dorë. Kemi një agresor dhe një viktimë. Agresori nuk ka shqetësime për sigurinë. Askush nuk i ka sulmuar ndonjëherë ata, ata kanë sulmuar të tjerët. Dua të them, mbani fokusin, njerëz”, kërkoi ajo.

Kallas tha se është e vetëdijshme “se rusët nuk duan që unë” të përfaqësoj Evropën.

“Ata nuk duan askënd të fortë në anën tjetër, sepse duan të përmbushin kërkesat e tyre maksimale, siç kanë bërë gjithmonë”, tha ajo.

Pritet që udhëheqësit e BE-së në Dublin të diskutojnë se kush duhet ta përfaqësojë Evropën në negociatat e ardhshme të paqes.

Kallas u bëri thirrje udhëheqësve të mbledhur që t’i përmbahen rregullave aktuale të BE-së, sipas të cilave ajo, si diplomatja më e lartë e bllokut, përfaqëson BE-në në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen./ DPA News.