IEA: Tregu global i naftës me tepricë në T4 2026

Tregu botëror i naftës pritet të hyjë në një fazë teprice gjatë tremujorit të katërt të vitit 2026, pasi oferta globale do të tejkalojë kërkesën për herë të parë që nga shpërthimi i luftës në Iran, në fund të muajit shkurt, bëhet e ditur  nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (AIE) në raportin e saj mujor të publikuar sot.

Sipas agjencisë, analizat e ofertës dhe kërkesës për muajin nëntor tregojnë se tregu ndërkombëtar i naftës do të rikthehet në një situatë suficiti gjatë tre muajve të fundit të vitit 2026. Kjo tepricë pritet të bëhet edhe më e madhe gjatë vitit 2027.

Oferta globale e naftës u rrit me 2,3 milionë fuçi në ditë gjatë muajit tetor, duke arritur në 105,4 milionë fuçi në ditë. Sipas IEA-së, kjo rritje u mbështet kryesisht nga niveli i lartë i eksporteve të vendeve të Gjirit, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike dhe cisternave të naftës.

Megjithatë, eksportet e vendeve të Gjirit, me përjashtim të Omanit, mbeten 26% më të ulëta krahasuar me nivelet e regjistruara përpara luftës. Përmirësimi i furnizimeve nga ky rajon ka bërë që IAE të rrisë me 3,3 milionë fuçi në ditë parashikimin për ofertën globale të naftës për pjesën e mbetur të vitit.

Agjencia vëren se tregu po shfaq shenjat e para të një rikthimi gradual drejt ekuilibrit, pasi oferta po tejkalon për herë të parë kërkesën që nga fillimi i luftës në Iran. Ky zhvillim mund të ndikojë në ecurinë e çmimeve ndërkombëtare, megjithëse situata mbetet e ndjeshme ndaj zhvillimeve gjeopolitike dhe ndërprerjeve të furnizimit.

Sa i përket kërkesës, IEA parashikon që konsumi global i naftës të ulet me 2.7 milionë fuçi në ditë gjatë vitit 2026, duke zbritur në 102,3 milionë fuçi në ditë. Për vitin 2027, megjithatë, kërkesa pritet të rikuperohet me rreth 2 milionë fuçi në ditë.

Në tremujorin e katërt të vitit 2026, rënia vjetore e kërkesës parashikohet të jetë 2,7 milionë fuçi në ditë, më e ulët se tkurrja mesatare prej 4,4 milionë fuçish në ditë e regjistruar gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë.

Sipas agjencisë, kërkesa vijon të ndikohet negativisht nga ndërprerjet e eksporteve të produkteve të rafinuara të naftës dhe gazit të lëngshëm të naftës (GLN) nga vendet e Gjirit, të cilat mbeten rreth gjysmës së nivelit të para luftës, si dhe nga çmimet e larta të karburanteve.

Ndërkohë, rezervat globale të naftës u rritën me 52 milionë fuçi gjatë muajit tetor, ose me një mesatare prej 1.7 milionë fuçish në ditë. Kjo ishte rritja e parë e rezervave që prej muajit qershor, duke përforcuar sinjalet se furnizimi global po përmirësohet gradualisht.