Studentët e Biokimisë të Universitetit të Tetovës përfitojnë përvojë praktike në Laboratorin e Spitalit Klinik të Tetovës

Ndërthurja e njohurive me përvojën profesionale në institucionet shëndetësore është komponent i
rëndësishëm i përgatitjes së kuadrove të ardhshme në lëmin e biokimisë. Në këtë drejtim, studentët
e drejtimit të Biokimisë, nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore i Universitetit të Tetovës,
më 11 nëntor 2026, realizuan një vizitë studimore në Laboratorin e Spitalit Klinik të Tetovës.
Kjo vizitë u mundësoi studentëve të njihen me mjedisin profesional të punës laboratorike dhe me
rëndësinë që ka biokimia klinike në procesin e diagnostikimit, përcjelljes dhe vlerësimit të gjendjes
shëndetësore të pacientëve. Përmes kësaj përvoje, ata patën mundësinë të shohin se si njohuritë e
fituara gjatë studimeve aplikohen në praktikën e përditshme profesionale.
Gjatë vizitës, studentët u informuan për organizimin dhe funksionimin e laboratorit klinik,
procedurat e pranimit dhe përpunimit të mostrave biologjike, proceset analitike, si dhe rëndësinë e
saktësisë dhe besueshmërisë së rezultateve laboratorike. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe
metodave bashkëkohore të analizave biokimike, përdorimit të aparaturave laboratorike dhe
respektimit të protokolleve profesionale që garantojnë cilësinë e shërbimeve diagnostikuese.
Vizita u realizua nën udhëheqjen profesionale të specialistes së Biokimisë Medicinale, Maltina
Ferati, e cila i njohu studentët me proceset e punës dhe ndau me ta përvojën e saj profesionale, duke
u ofruar këshilla dhe sqarime mbi aspektet praktike të veprimtarisë laboratorike. Iniciatore e këtij
aktiviteti ishte përfaqësuesja e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Anila Fetai, në kuadër
të përpjekjeve të saj për të nxitur bashkëpunimin dhe ndërveprimin ndërmjet arsimit të lartë dhe
institucioneve shëndetësore.
Ajo theksoi se, Universiteti i Tetovës, përmes aktiviteteve të këtij karakteri, synon të krijojë
mundësi që studentët, përtej përgatitjes teorike, të përfitojnë edhe përvoja konkrete në mjedise reale
të punës. Kontakti i drejtpërdrejtë me praktikën profesionale ndihmon në zhvillimin e shkathtësive,
zgjerimin e horizontit akademik dhe përgatitjen e kuadrove të reja për sfidat e tregut të punës.
Vizita të tilla përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt një formimi universitar më të ndërlidhur me
praktikën dhe kërkesat bashkëkohore profesionale, duke e forcuar njëkohësisht rolin e Universitetit
të Tetovës në përgatitjen e gjeneratave të reja të specialistëve në fushën e shkencave natyrore dhe
shëndetësore.