Përmbytjet në Gaza lënë pa strehë 350 mijë palestinezë të zhvendosur

Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, Munir al-Bursh bëri thirrje të dielën për furnizime urgjente me strehimore, duke thënë se përmbytjet kanë lënë 350 mijë palestinezë të zhvendosur të flenë në ambient të hapur, transmeton Anadolu.

“A po pret bota që fëmijët tanë të ngrijnë?”, tha ai duke kërkuar veprim të menjëhershëm për të mbrojtur fëmijët në vendet e zhvendosjes. Al-Bursh bëri thirrje për hapjen e vendkalimeve për të lejuar hyrjen e tendave dhe materialeve të rindërtimit. Ai tha se mijëra tenda po presin në vendkalime, por ushtria izraelite po refuzon t’i lejojë ato në Gaza.

Të dielën një grua dhe katër fëmijë humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën kur një rrëshqitje dheu goditi tendat që strehonin palestinezët e zhvendosur në Deir al-Balah në Gazën qendrore, tha Mbrojtja Civile. Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të personave të zhdukur.

Shira të dendur dhe erëra të forta kanë përfshirë Gazën që nga mbrëmja e së premtes. Zyra e Qeverisë për Media tha se 70 mijë tenda janë përmbytur dhe dhjetëra mure të dëmtuara më parë nga bombardimet izraelite janë shembur brenda 12 orëve të para të stuhisë.

Mbrojtja Civile tha të shtunën se të gjithë kampet e zhvendosjes ishin përmbytur, ku uji arriti në 1.5 metra në disa zona. Lufta gjenocidale e Izraelit e cila filloi në tetor 2023, shkatërroi shtëpitë dhe infrastrukturën në të gjithë Gazën, duke detyruar qindra mijëra palestinezë të vendosen në strehimore të improvizuara.

Kufizimet izraelite për materialet e ndërtimit, furnizimet me strehimore dhe pajisjet e rindërtimit kanë vazhduar pavarësisht një armëpushimi në fuqi midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas që nga 10 tetori 2025.