Rizgjedhja me rezultat të thellë e senatorit 39-vjeçar Jon Ossoff në Xhorxhia ka forcuar pozitat e tij brenda Partisë Demokratike amerikane, duke e kthyer në një nga figurat më premtuese të saj dhe në një emër që përmendet gjithnjë e më shumë në diskutimet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Gjatë fjalimit para mbështetësve në Atlanta, senatori kritikoi ashpër presidentin amerikan, duke deklaruar se qytetarët kanë refuzuar atë që ai e cilësoi si “prishje morale, korrupsion dhe paaftësi” të Donald Trump.
Megjithëse emri i tij po lakohet si një kandidat i mundshëm për Shtëpinë e Bardhë, Ossoff ka përsëritur se nuk ka dëshirë të përfshihet në garën presidenciale. Megjithatë, një pjesë e mbështetësve të tij shprehin hapur dëshirën që ai të kandidojë.
“Ne kemi nevojë për të, na duhet gjak i ri”, u shpreh një e re që votoi për të. Edhe mbështetës të tjerë vlerësojnë autenticitetin, empatinë dhe aftësinë e tij për të fituar mbështetje përtej ndarjeve partiake.
Ossoff tërhoqi vëmendjen gjatë verës edhe për komentet e tij të drejtpërdrejta ndaj Donald Trumpit dhe marrëdhënies së presidentit me asistenten e tij personale, Natalie Harp.
Në një tubim elektoral, senatori kritikoi mënyrën se si Trump po ushtron detyrën, duke e akuzuar se fle gjatë takimeve, luan golf dhe merret me shitjen e aksioneve, në vend që të përqendrohet te puna presidenciale.
Ai përmendi gjithashtu planet e presidentit për ndërtimin e sallës së vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë dhe udhëtimet me Natalie Harp në avionin që, sipas tij, iu dhurua nga emiri i Katarit.
Deklaratat u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale, duke e vendosur asistenten e Trumpit në qendër të vëmendjes publike.
Për shumë demokratë, Ossoff është një figurë që të kujton ish-presidentin Barack Obama. Krahasimet lidhen me paraqitjen e tij, aftësitë oratorike dhe mënyrën se si arrin të komunikojë me publikun.
“Kur flet, më kujton Obamën. Është i vërtetë”, u shpreh një mbështetëse e tij në Atlanta.
Vetë Obama udhëtoi drejt Xhorxhias në ditët e fundit të fushatës për të mbështetur rizgjedhjen e senatorit, duke përforcuar edhe më shumë paralelizmat mes dy figurave.
Ossoff ka tërhequr vëmendjen edhe për aftësinë e tij për të frymëzuar mbështetësit dhe për të përcjellë një mesazh shprese. Disa prej tyre e shohin si një nga politikanët që mund t’i bëjë ballë Trumpit dhe të përfaqësojë një brez të ri të demokratëve.
Jon Ossoff u bë pjesë e politikës amerikane në vitin 2021, kur fitoi një garë të vështirë për Senatin kundër kandidatit republikan në Xhorxhia. Së bashku me senatorin Raphael Warnock, fitorja e tij ndihmoi demokratët të siguronin kontrollin e Senatit amerikan.
Në moshën 33-vjeçare, ai u bë senatori më i ri në SHBA në atë kohë. I lindur dhe i rritur në Atlanta, në një familje hebreje, Ossoff ishte angazhuar në politikë që në moshë të re.
Një prej figurave që ndikoi në formimin e tij politik ishte John Lewis, aktivisti i njohur i të drejtave civile dhe ish-kongresmeni amerikan, të cilit Ossoff i kishte shkruar që në moshën 16-vjeçare.
Sot, pas rizgjedhjes së tij në Xhorxhia, Ossoff shihet si një nga emrat që mund të luajnë rol të rëndësishëm në të ardhmen e Partisë Demokratike, edhe pse ai vetë nuk ka shprehur ende ambicie për të garuar për presidencën.


