Komisioni Evropian ka disbursuar të enjten 4.36 miliardë euro për Ukrainën, në kuadër të paketës së kredisë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh, me synim përballimin e nevojave buxhetore dhe urgjencave në fushën e mbrojtjes.
Sipas deklaratës së Komisionit Evropian, nga shuma totale, 3.7 miliardë euro janë ndarë për mbështetje makrofinanciare, ndërsa 658 milionë euro për komponentin e mbrojtjes.
Fondet për mbrojtjen do të përdoren për prokurimin e dronëve, raketave, radarëve, sistemeve të luftës elektronike dhe municioneve për mbrojtjen ajrore.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se mbështetja e BE-së për Ukrainën do të vijojë, ndërsa vendi përgatitet të përballojë dimrin e pestë që nga nisja e luftës me Rusinë.
Pagesa e fundit është e dyta nga tri këstet e planifikuara për vitin 2026 në kuadër të programit të ndihmës makrofinanciare, i cili arrin në 8.35 miliardë euro.
Ndërkohë, sipas Komisionit Evropian, deri më tani janë disbursuar 16.4 miliardë euro në kuadër të komponentit të mbrojtjes së kësaj kredie.


