Mbi 53 milionë amerikan votuan më herët në zgjedhjet e mesit të mandatit të këtij viti, ku është regjistruar rritja më e madhe?

Mbi 53 milionë amerikanë kanë votuar tashmë në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2026 në SHBA, duke shënuar një rritje të pjesëmarrjes në votimin e parakohshëm, veçanërisht mes votuesve demokratë.

Pjesëmarrja është më e lartë se në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2022, kur numri i votuesve të parakohshëm arriti në rreth 46 milionë.

Rritja më e madhe është regjistruar në Teksas, ku kanë votuar mbi 7 milionë qytetarë, rreth 1.5 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të zgjedhjeve të vitit 2022.

Edhe shtete të tjera kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Në Karolinën e Jugut votimi i parakohshëm është rritur me 83%, në Kansas me 34%, në Maine me 44%, ndërsa në Michigan është regjistruar një rritje prej 32%, me rreth 409 mijë votues më shumë se katër vite më parë.

Zgjedhjet e këtij viti zhvillohen në një klimë të tensionuar politike për Partinë Republikane. Politikat tarifore të Presidentit Donald Trump dhe përfshirja e SHBA-së në luftën me Iranin në krah të Izraelit kanë ndikuar në mbështetjen për republikanët, në një kohë kur kriza e kostos së jetesës mbetet një shqetësim për qytetarët.

Sondazhet e fundit kombëtare, dy ditë para Ditës së Zgjedhjeve, tregonin demokratët me 51.5% të mbështetjes, kundrejt 43.1% për republikanët.

Votimi i parakohshëm u mundëson amerikanëve të ushtrojnë të drejtën e tyre përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve, përmes pjesëmarrjes fizike në qendrat e votimit ose duke dërguar fletën e votimit me postë. Aktualisht, 47 shtete dhe Uashingtoni lejojnë votimin e hershëm personalisht, ndërsa të gjitha shtetet ofrojnë mundësinë e votimit me postë.

Arsyet pse qytetarët zgjedhin të votojnë më herët janë të ndryshme. Për disa, kjo është një mënyrë më praktike për të shmangur radhët dhe pritjen në ditën zyrtare të zgjedhjeve. Të tjerë nxiten nga partitë politike dhe organizatat lokale, ndërsa një pjesë dëshiron ta përfundojë sa më shpejt procesin e votimit.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se shifrat e votimit të parakohshëm nuk tregojnë se për cilin kandidat kanë votuar qytetarët dhe nuk mund të parashikojnë të vetme rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.