Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon transparencë të plotë për mjetet publike të deponuara në Alta Banka dhe hetim institucional për mënyrën se si është vendosur që institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike t’i shfrytëzojnë shërbimet e kësaj banke. Në reagimin e saj, BDI ngre pyetje për përgjegjësinë e vendimmarrësve, vlerësimin e rrezikut financiar dhe ndikimet e mundshme politike në orientimin e parave publike. Sipas partisë, rasti nuk duhet të trajtohet vetëm si problem i një institucioni bankar, pasi prek drejtpërdrejt menaxhimin e financave publike dhe sigurinë financiare të institucioneve, shkruan gazeta KOHA.
“Rasti i Alta Bankës ngre pyetje që shkojnë shumë përtej problemeve të një banke. Bëhet fjalë për menaxhimin e mjeteve publike, sigurinë financiare të institucioneve publike dhe lidhjen e mundshme ndërmjet vendimeve politike dhe interesave bankare”, thuhet në reagimin e BDI-së. BDI e lidh kërkesën për hetim me masat që, sipas reagimit të saj, ka ndërmarrë Banka Popullore ndaj Alta Bankës dhe me pasigurinë që kjo situatë krijon për institucionet dhe ndërmarrjet publike që kanë mjete në të.
“Fakti që Banka Popullore u detyrua të vendosë administrim të përkohshëm dhe kufizime në disponimin e mjeteve, ndërkohë që institucionet dhe ndërmarrjet publike përballen me pasiguri lidhur me funksionimin e tyre financiar, kërkon një hetim të menjëhershëm dhe të thelluar institucional”, thekson BDI. Në qendër të reagimit është kërkesa për të bërë të ditur shumën e mjeteve publike në bankë, por edhe kriteret mbi të cilat janë marrë vendimet për hapjen e llogarive dhe shfrytëzimin e shërbimeve të saj. BDI kërkon të identifikohen të gjithë personat që kanë marrë dhe miratuar vendimet, si dhe ata që kanë pasur përgjegjësi për vlerësimin e rrezikut.
“Veçanërisht shqetësuese është pyetja se sa mjete publike gjenden në Alta Banka dhe mbi bazën e cilave kritere institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë vendosur t’i shfrytëzojnë shërbimet e saj. Kush i ka marrë këto vendime, kush i ka miratuar dhe kush e ka vlerësuar rrezikun financiar ndaj të cilit janë ekspozuar mjetet publike?”, pyet partia.
BDI ngre gjithashtu dilema nëse përzgjedhja e bankës është mbështetur në analiza profesionale dhe procedura transparente, apo nëse në këtë proces kanë ndikuar interesa politike. Në reagim kërkohen përgjigje edhe për vlerësimin e strukturës së pronësisë dhe për trajtimin e paralajmërimeve eventuale. “A ka qenë përzgjedhja e bankës rezultat i vlerësimeve të pavarura financiare dhe procedurave transparente, apo ka pasur ndikim politik në vendimmarrjen e institucioneve? A janë analizuar rreziqet që lidhen me strukturën e pronësisë së bankës? A ka pasur paralajmërime dhe, nëse po, kush i ka pranuar ato dhe si ka vepruar?”, thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, nevoja për sqarimin e këtyre çështjeve bëhet edhe më e madhe pas informacioneve që partia përmend për procedura në Serbi ndaj pronarit të bankës amë dhe për dyshime për keqpërdorime financiare.
“Këto pyetje bëhen edhe më serioze pas informacioneve për procedurat ndaj pronarit të bankës amë në Serbi dhe dyshimeve për keqpërdorime financiare që janë objekt hetimi atje”, deklaron BDI. Për këtë arsye, partia e Ali Ahmetit i drejtohet Qeverisë dhe Ministrisë së Financave me kërkesën për publikimin e një pasqyre të plotë të institucioneve dhe ndërmarrjeve që kanë pasur mjete në Alta Banka. Sipas saj, informacioni duhet të përfshijë shumat, kohën e hapjes së llogarive dhe përgjegjësit për vendimmarrjen.
“Prandaj, kërkojmë nga Qeveria dhe Ministria e Financave që të publikojnë një pasqyrë të plotë të të gjitha institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve publike dhe subjekteve të tjera nën kontrollin shtetëror që kanë pasur mjete në Alta Banka, duke përfshirë shumat e sakta, datat e hapjes së llogarive, bazën ligjore dhe personat përgjegjës për marrjen e vendimeve”, kërkon BDI. Kërkesa për transparencë i drejtohet edhe Bankës Popullore. Partia kërkon sqarime për mbikëqyrjen bankare dhe analizat e rrezikut, duke vënë theksin te ndryshimet në pronësi dhe zhvillimet në bankën amë.
“Njëkohësisht, Banka Popullore duhet të japë sqarime për procedurat e mbikëqyrjes dhe vlerësimet e rrezikut, veçanërisht në lidhje me ndryshimet në strukturën e pronësisë dhe zhvillimet financiare në bankën amë”, thuhet në reagim. BDI pret angazhim edhe nga Prokuroria Publike për të përcaktuar nëse orientimi i mjeteve publike është shoqëruar me shkelje ligjore. Partia kërkon që të hetohen ndikimet e mundshme të paligjshme, konfliktet e interesit dhe përgjegjësia eventuale e funksionarëve.
“Presim që Prokuroria Publike, në kuadër të kompetencave të saj, të hetojë nëse gjatë orientimit të mjeteve publike ka pasur ndikime të paligjshme, keqpërdorim të pozitës zyrtare, konflikt interesi apo veprime të tjera të kundërligjshme”, thekson BDI. Në vlerësimin e partisë, çështja kryesore është nëse institucionet shtetërore kanë njohuri të sakta për ekspozimin e financave publike dhe nëse mekanizmat e mbrojtjes dhe kontrollit kanë funksionuar. “Çështja tashmë nuk është vetëm se çfarë do të ndodhë me Alta Bankën. Çështja është nëse shteti e di sa para publike janë ekspozuar ndaj rrezikut, si kanë përfunduar ato aty dhe kush e ka pasur për detyrë t’i mbrojë. Qytetarët kanë të drejtë të informohen plotësisht, institucionet kanë detyrim t’i sigurojnë këto informacione, ndërsa përgjegjësia eventuale duhet të përcaktohet në bazë të dokumenteve dhe fakteve”, thuhet në reagim.
BDI e përmbyll reagimin me kërkesën për llogaridhënie në të gjitha hallkat institucionale, duke theksuar se besimi në sistemin financiar varet nga transparenca dhe funksionimi i mbikëqyrjes. “Në sistemin financiar, besimi ndërtohet përmes mbikëqyrjes, transparencës dhe përgjegjësisë. Pikërisht për këtë arsye, rasti i Alta Bankës kërkon llogaridhënie publike në të gjitha nivelet, nga ata që i kanë marrë vendimet deri tek ata që kanë qenë përgjegjës për kontrollin e rrezikut”, përfundon reagimi i BDI-së.


